Në kuadër të vizitave të rregullta në biznese lokale, kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, ka vizituar restorantin e sapohapur “MelaVerde”, i cili funksionon nën pronësinë e familjes Mehmeti nga Gjilani.
Restoranti “MelaVerde” është një ndër investimet më të reja në qytet, që synon të ofrojë standard të lartë shërbimi në gastronomi, por njëkohësisht përfaqëson edhe një shembull të inkurajimit dhe zhvillimit të biznesit vendor.
Gjatë vizitës, kryetari Hyseni u shpreh se hapja e bizneseve të reja ndikon drejtpërdrejt në rritjen e zhvillimit ekonomik lokal dhe krijimin e vendeve të reja të punës, duke kontribuar kështu në mirëqenien e qytetarëve dhe dinamizimin e jetës ekonomike në Gjilan.
“Është kënaqësi të shohim biznese të reja nga qytetarët tanë që po kontribuojnë në ekonominë lokale. Mbështetja për ndërmarrjet vendore mbetet një ndër prioritetet tona”, u shpreh Hyseni.
Nga ana e tyre, përfaqësuesit e biznesit shprehën mirënjohje për vizitën dhe theksuan se do të vazhdojnë të investojnë dhe të ofrojnë shërbime cilësore për komunitetin.
Ky investim vjen si pjesë e trendit të rritjes së iniciativave private në Gjilan, duke treguar potencialin dhe gatishmërinë e qytetarëve për të zhvilluar ekonomi të qëndrueshme në nivel lokal.










