Kryetari i Bordit të RTK-së, Besnik Boletini ka reaguar pasi gazetari i këtij mediumi, Asdren Agushi ka thënë se pas punës 7 vjeçare si gazetar dhe korrespodent, është suspenduar nga puna.
Agushi ka thënë se suspendimi i tij lidhet me kritikat ndaj pushtetit.
Boletini i ka vlerësuar të nxituara dhe tendencë për presion ndaj RTK-së reagimet lidhur me pezullimin nga puna të gazetarit-korrespodent nga Gjilani, Asdren Agushi.
Ai përmes një shkrimi në “Facebook” ka thënë se ka kërkuar informacione nga menaxhmenti lidhur me këtë rast dhe “e vërteta qëndron se gazetari është suspenduar për shkak se e ka injoruar punën – nuk ka punuar, e jo për shkaqe tjera, apo për shkrime hulumtuese kritike.
“Pra fatkeqësisht gazetari Agushi nuk e ka thënë të vërtetën në statusin e tij dhe ka lajthitur me gjasë disa mediume, por edhe disa politikanë, të cilët u nxituan në reagime pa i pasur informacionet e duhura. Reagime të tilla janë tendencë për presion ndaj RTK-së, por sigurisht që nuk kanë asnjë efekt. RTK do të vazhdojë punën me profesionalizëm dhe objektivitet të plotë”, ka theksuar Boletini.
Ai ka thënë se nga të dhënat që ka marrë në menaxhmentin e RTK-së, rezulton se gazetari Agushi nuk e ka kryer punën siç duhet.
“Ai nuk ka realizuar për disa ditë me radhë kronikat që i janë kërkuar nga redaktorët. P.sh sipas të dhënave rezulton se gjatë muajit qershor ai ka realizuar vetëm katër kronika. Nga 14 qershori deri me 30 qershor nuk ka realizuar asnjë raport/kronikë. Ndërsa nga data 1 korrik 2023 deri 19 korrik 2023 , korrespodenti Asdren Agushi ka realizuar një kronikë. Nëse dikush mendon që punonjësit duhet të paguhen pa punuar, është diçka tjetër, por e ka gabim. Ajo kohë ka përfunduar. Deri më tani janë larguar 25 punonjës për shkak se nuk kanë ardhur në punë, apo nuk e kanë respektuar kontratën e punës”, ka shtuar tutje kryetari i Bordit të RTK-së.
Sipas Boletinit, tendenca për të bërë presion që ndaj punëtorëve që nuk punojnë nuk duhet marrë masa është qëllimkeqe dhe joracionale.
“Sfida e probleme ka me bollëk, por RTK aktualisht e ka pavarësinë më të madhe editoriale që nga themelimi. RTK asnjëherë nuk ka funksionuar më e pavarur. Kjo mund të evidentohet, çdo ditë e çdo orë. Ideja e disa individëve partiak për ta përdorur transmetuesin publik si ‘terren’ për beteja politike është e gabuar. Betejat politike zhvilloni në terrenet e juaja. E sfidoj publikisht z. Lutfi Haziri dhe znj. Valentina Bunjaku-Rexhepi që të ofrojnë dëshmi konkrete se korrespondenti i RTK-së është suspenduar për shkak se ‘paska qenë kritik ndaj pushtetit. Cila storie? Cili hulumtim? Kur dhe nga kush është ndaluar apo përndjekur? Këto gjëra janë komplet të papranueshme, nëse ofrohen këto dëshmi, zotohem publikisht se do të ndërmarrim masa ndaj menaxhmentit. Le të flasim dhe veprojmë me fakte. Le të bëhemi përgjegjës për fjalën publike”, ka theksuar Boletini.
Ai në fund ka thënë se korrespondenti i lartcekur e ka të drejtën e ankesës në shkallën e dytë dhe nëse për mosrespektim të kontratës ka arsye objektive dhe i dëshmon me fakte, komisioni përkatës e shqyrton me profesionalizëm.