Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, ka reaguar publikisht pas qarkullimit të një videoje tronditëse, ku shihet dhuna e ushtruar ndaj një të miture nga disa vajza.
Reagimi i tij vjen pas shqetësimit të madh që ka shkaktuar kjo ngjarje në opinionin publik.
Statusi i plotë:
Një video që po qarkullon nga mbrëmë në media më ka tronditur thellë, jo vetëm mua personalisht, por edhe gjithë qytetarët e Gjilanit dhe Kosovës.
Pamjet e dhunës ndaj një të miture janë të papranueshme dhe shqetësuese në çdo formë. Si kryetar i Komunës së Gjilanit, shpreh keqardhjen dhe solidaritetin tim me viktimën dhe familjen e saj, dhe dënoj çdo akt dhune që bie ndesh me vlerat tona njerëzore e shoqërore.
U bëj thirrje institucioneve të sigurisë dhe drejtësisë që të veprojnë menjëherë dhe të marrin masat e nevojshme, në mënyrë që të garantohet siguria e çdo fëmije në qytetin tonë.