Pas certifikimit zyrtar të rezultateve nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, Komuna e Gjilanit sot shënon hapin e parë të mandatit të ri qeverisës. Kryetari i rizgjedhur, Alban Hyseni, ka thirrur seancën inauguruese, në të cilën ai dhe këshilltarët e rinj komunalë do të japin betimin dhe do të fillojnë zyrtarisht ushtrimin e detyrës për mandatin e ardhshëm katërvjeçar.
Ceremonia zhvillohet më 10 dhjetor 2025, duke filluar nga ora 10:00, në ambientet e Shkollës së Mesme të Agrobiznesit dhe Teknologjisë “Sahit Baftiu”. Ky organizim shënon momentin e ndërrimit simbolik të përgjegjësive institucionale dhe nisjen e punës për qeverisjen e re komunale.
Seanca do të drejtohet nga anëtari Isa Agushi, i cili, sipas procedurave ligjore, udhëheq mbledhjen inauguruese deri në konstituimin e plotë të organeve komunale.
Gjatë kësaj mbledhjeje solemne, pritet që anëtarët e zgjedhur të Asamblesë Komunale të marrin vendet e tyre, ndërsa kryetari Hyseni do të japë betimin për të nisur mandatin e tij të dytë në krye të Komunës së Gjilanit.

