Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, së bashku me Drejtorin e Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport, udhëtuan drejt Luksemburgut për të ndjekur nga afër ndeshjen kualifikuese të Ligës së Kampionëve mes FC Dritës dhe Differdange.
Përmes kësaj pranie direkte në stadium, ata konfirmuan përkrahjen institucionale për kampionin e Kosovës, duke theksuar rëndësinë që ka për qytetin dhe futbollin vendor një performancë e tillë në arenën ndërkombëtare.
Kryetari Hyseni theksoi se klubet që po investojnë miliona euro meritojnë një infrastrukturë moderne, të denjë për ambiciet dhe sukseset e tyre. Ai shtoi se stadiumi i qytetit do të bëhet shtëpia që i takon dy klubeve të mëdha të Gjilanit, ndërsa punimet do të vazhdojnë me intensitet të shtuar.
Sipas tij, ky udhëtim është një tjetër dëshmi konkrete e angazhimit për ta përkrahur sportin gjilanas, jo vetëm me fjalë, por edhe me veprime të qarta institucionale./Radio Star/