Kryetari i Komunës së Kamenicës Qëndron Kastrati bashkë me stafin e tij kanë bërë sot një veprim që rrallë është bërë në udhëheqjet komunale në Kosovë.
Ata kanë hequr dorë nga mëditjet në udhëtimet zyrtare për punët e komunës shkruan GazetaBlic.
Vet kryetari Kastrati ka njoftuar se ky vendim është marrë në mbledhjen e rregullt të bordit të drejtorëve
Sipas tij këto fonde do t’i orientojnë në fusha tjera shumë më të nevojshme për qytetarët.
Më poshtë e gjeni të plotë njoftimin e kryetarit të Kamenicës Qëndron Kastrati.
Sot u mbajt mbledhja e rregullt e Bordit të Drejtorëve si dhe takimi me udhëheqësit e dikastereve të zyrës së kryetarit.
Në këtë mbledhje përveç diskutimeve të zakonshme u kumtuan edhe vendime që do të merren ditëve në vijim.
Këtë muaj bëhen 6 muaj prej se unë kam marrë detyrën e Kryetarit. Kjo kohë më ka shërbyer për ta skanuar gjendjen, evidentuar pikat e dobëta dhe të forta të stafit, për të parë mangësitë në organizimin e brendshëm etj. Duke u nisur nga kjo kam ardhur në përfundim që duhet bërë ndërhyrje në disa pozicione të rëndësishme në administratë në mënyrë që të mundësohet efikasitet dhe shpejtësi më e madhe në kryerjen e punëve. Nga tani e tutje papërgjegjësia në kryerjen e detyrave do të sanksionohet sipas rregulloreve të brendshme.
Duke e ditur që në vitin e parë të qeverisjes po punojmë me planifikim buxhetor të trashëguar nga qeverisja e kaluar dhe mund të bëjmë shumë pak ndryshime, do të orientohemi që këtë vit ta shfrytëzojmë për REFORMA organizative në funksionimin normal dhe efikas të administratës.
Unanimisht, bashkë me drejtorët vendosëm që të HEQIM DORË NGA MEDITJET në udhëtimet zyrtare për punët e komunës. Kjo mund të ndryshojë vetëm në ndonjë rast të veçantë ku dakordohemi ndryshe. Praktika e meditjeve për këto udhëtime i ka kushtuar shtrejtë komunës sonë edhe ashtu me buxhet të vogël.
Këto fonde do t’i orientojmë në fusha tjera shumë më të nevojshme për qytetarët.
Poashtu u diskutua edhe për të vendosur NJË ORAR PËR TAKIME ME QYTETARË. Duke parë kërkesat dhe çështjet e ndryshme për të cilat qytetarët paraqiten për takim, u vendos që të krijohet një orar i këtyre takimeve që është si vijon:
Takimet e Kryetarit zhvillohen për çdo javë në orarin:
E marte 16:00 – 18:00
E Enjte 16:00 – 18:00
Takimet me drejtorët zhvillohen për çdo javë në orarin:
E marte 16:00 – 18:00
Vazhdimisht do të njoftoheni me ndryshimet dhe veprimet në kuadër të zbatimit të reformës organizative.