Dje janë konfirmuar dy rastet e para me koronavirus në Kosovë. Njëri prej të infektuarve është një 77-vjeçar nga Vitia, i cili kishte ardhur në Kosovë para rreth një jave, por që në Emergjencë ishte lajmëruar tek para dy ditësh.
Stafi mjekësor i ambulantës është në karantinë që nga mëngjesi i djeshëm, derisa Qeveria ka marrë vendim për izolimin e gjithë Komunës së Vitisë, raporton Express.
Kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti, i ka thënë Gazetës Express se rrezikshmëria është e madhe, meqenëse i infektuari ka hyrë në Kosovë rreth një javë më parë.
Sipas Haliti, gjatë kësaj kohe, ai ka qenë në disa ristorante dhe në meshë dhe se ka pasur kontakt me shumë banorë të fshatit Stubëll, fshat ky i cili u izolua mbrëmë.
“Tërë natën kemi qenë në terren. Por, rrezikshmëria është e madhe, meqenëse ai ka kontaktu me shumë njerëz. Ai ka hy përmes kufirit edhe se ka ndal askush, masnej ka nejt një javë pa shku në spital. Gjatë kësaj kohe, ai është taku me shumë banorë të fshatit, ka qenë në restaurant dhe në meshë, pra ka pas shumë kontakt”, ka thënë Haliti për Express.
Ai ka kritikuar Ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitinë, meqenëse sipas tij nuk po bashkëpunon fare. Haliti ka kërkuar që t’i furnizojnë me dorëza, maska e pajisje të tjera, meqenëse deri tani nuk janë pajisur.
“Ministria s’na ka kontaktu fare. Ne kemi kërku veç me u izolu fshati Stubëll, ata kanë marrë vendim krejt komuna. Ne i kemi 43 fshatra, problem. As s’na kanë pajisë me dorëza as maska. As komandanti i policsë s’ka maska, e që është tërë kohën në terren”, ka thënë Haliti.
Mbrëmë, Qeveria ka marrë vendim që t’i ndalojë hyrje-daljet në komunat Klinë dhe Viti, ky kanë banuar dy personat e infektuar.
Ndryshe, dje rreth orës 17:30, janë konfirmuar dy rastet e para me koronavirus në Kosovë, raporton Express.
Lajmi është bërë i ditur nga Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, në një konferencë të jashtëzakonshme.
Sipas ministrit Arben Vitia bëhet fjalë për një vajzë të moshës 20 vjeçare, shtetase e Italisë dhe një burrë të moshës 77 vjeçe, nga Komuna e Vitisë.
Në konferencën ku u konfirmuan këto dy raste, kryeministri Albin Kurti u ka bërë thirrje qytetarëve që të mos i shtrëngojnë duart me njëri-tjetrin, të qëndrojnë mbi 1 metër larg kur takohen dhe që t’i pastrojnë duart me ujë të ngrohtë mbi 30 sekonda.
‘Parandalimi është gjithcka. Le ta ruajmë vetën dhe njëri-tjetrin, që dy rastet e konfirmuara të mos shtohen. Të bëjmë kujdes maksimal që të mos iu bashkangjitemi vendeve të tjera që po raportojnë për mortalitet”, ka thënë Kurti në konferencë.