Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi, është deklaruar para mediave për zgjedhjet lokale që po mbahen sot në katër komunat veriore.
Radoniqi tha se procesi i votimit po shkon mbarë dhe siguria është në nivel, teksa ka shtuar se KQZ-ja i ka ndërmarrë të gjitha masat e mbajtjes së zgjedhjeve, ndërsa iu bëri thirrje qytetarëve që të votojnë.
“Procesi po shkon në rregull, s’ka ndonjë problem. Gjithashtu dua t’i ftojë qytetarët e komunave veriore që të dalin në zgjedhje në mënyrë që të ushtrojnë të drejtën e tyre për votë dhe t’i zgjedhin përfaqësuesit dhe të ndërtojnë institucione legale. Ne si KQZ, siç kam deklaruar, i kemi ndërmarrë të gjitha masat që ky proces të shkojë në rregull”, deklaroi ai.
Ai tha se akoma nuk dihet numri i votuesve që kanë dalë në zgjedhje, teksa shtoi se në këtë qendër të Lagjen e Boshnjakëve kanë votuar 60 persona.
“Kontejnerët janë parë zgjidhje e përshtatshme për rrethanat e krijuara. Nuk besoj se përdorimi i tyre do të jetë pengesë për votim. Qytetarët kanë qasje në to, dhe është mundësi që KQZ-ja ua ofron qytetarëve që të votojnë”, shtoi ai./Indeksonline/