Kryetari i Sindikatës së Policisë së Kosovës, Imer Zeqiri thotë se ka sinjale pozitive nga ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla për sigurimin shëndetësor të policëve.
I ftuar në emisionin “Ditari” në Tëvë 1, ai thotë se janë e vetmja Sindikatë që deri më tash kanë qenë korrekte karshi kërkesave të tyre ndaj Qeverisë.
“Po në realitet pasi kam bërë kërkesën të cilën e kam adresuar te ministri Svecla kemi pas edhe një takim me ministrin që kemi diskutua edhe këtë e tjera çështje mirëpo në fokus te sigurimi shëndetësor dhe më ka dhënë një sinjal që pas kësaj situatës që jemi të bisedojmë dhe t’i hapim rrugë kësaj çështjeje. Takimi ka ndodhur para 2 javësh… Sindikata e PK deri më tani ka qenë jashtëzakonisht korrekt nëse ne e kemi shpallë dialog Qeverisë jo asnjë kusht tjetër përpos dialogut dhe mendoj që është ajo më e mira e mundshmja edhe për ne e Qeverinë”, shtoi ai.
Por në mungesë të plotësimit të kushteve për punë, kryesindikalisti thotë se vërehet një lloj demotivimi nga zyrtarët policorë.
Madje, ai thotë se ka shtatë vjet prej kur nuk ka pasur asnjëherë rritje pagash për zyrtarët policorë.
“Vërtetë jemi në kushte të disfavorshme që vërehet edhe një demotivim për punë, e them kështu: Policia është jashtëzakonisht e vetmotivuar vetëm në atë aspektin e atdhedashurisë për ta mbrojtur këtë popull, përndryshe në aspekte tjera materiale qoftë plotësimit të kushteve nuk kemi çka me thënë sepse kemi një motivim për PK-në kështu kjo mbetet në dorën e Qeverisë të bëjë më shumë për PK-në sepse e meriton”, tha ai.
Sipas tij, ata nuk presin që të gjitha kërkesat e tyre të realizohen për njëherë pasi që siç thotë ai kanë mirëkuptim për Qeverinë.
“Në prioritet e kam këtë në realitet nuk pres të gjitha të realizohen përnjëherë nëse mendojmë me mendje të shëndoshë asnjëherë të gjitha nuk bëhen por atë që e kam kërkuar edhe atë që do ta kërkojë po ua them edhe juve, t’i analizojmë kërkesat t’i vendosim prioritet cilën sot e cilën nesër, të vendosim një kohë dhe mendoj se është koha më e mirë për ne dhe Qeverinë”, shtoi ai.