Me një atmosferë të ngrohtë, plot buzëqeshje dhe pjesëmarrje të madhe të qytetarëve, kryetari i Komunës së Kamenicës, Kadri Rahimaj, përmbylli zyrtarisht edicionin e sivjetmë të “Kamenica Summer Fest 2026” përmes Darkës së Kryetarit, një mbrëmje e organizuar në shenjë falënderimi për të gjithë ata që u bënë pjesë e aktiviteteve verore.
Qindra qytetarë u mblodhën për të festuar së bashku fundin e një vere të mbushur me koncerte, aktivitete sportive, kulturore dhe argëtuese, duke e shndërruar Summer Festin në një nga ngjarjet më të frekuentuara të sezonit në Kamenicë.
Në fjalën e tij, kryetari Rahimaj falënderoi të gjithë pjesëmarrësit, organizatorët, artistët, sportistët, vullnetarët dhe partnerët që kontribuuan në suksesin e festivalit.
“Ju faleminderit që ndatë verën me ne. Edicioni tjetër na pret me befasi dhe aktivitete të jashtëzakonshme,” u shpreh Rahimaj.
Mbrëmja u karakterizua nga një atmosferë festive, me qytetarë të të gjitha moshave që shijuan darkën, bisedat dhe momentet e përbashkëta, duke i dhënë një përmbyllje dinjitoze dhe mbresëlënëse “Kamenica Summer Fest 2026”.

