Kryetari i Komunës së Kamenicës, Kadri Rahimaj, së bashku me Nënkryetarin Faton Jakupi, Drejtorin e Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, Kujtim Kallaba, si dhe Drejtorin e Drejtorisë Komunale të Arsimit, Afrim Dervishi, kanë pritur në takim zv.Ministrin e Mbrojtjes, Shemsi Syla, së bashku me këshilltarin e tij politik, Hajriz Sejdiu, si dhe Nënkolonelin e FSK-së nga Drejtoria e Politikave, Veli Murati.
Temë e diskutimit në këtë takim ishte çështja e sigurisë në përgjithësi dhe menaxhimit të situatës në rast të fatkeqësive.
I pari i komunës, Kadri Rahimaj, ka falënderuar zv.Ministrin Syla për takimin, duke thënë se bashkëpunimi i komunës me nivelin qendror deri më tani ka qenë i shkëlqyeshëm.
“Falënderoj zv.Ministrin për vizitën. Ne jemi të hapur si komunë për të bashkëpunuar me nivelin qendror për caktimin e agjendave në raport me sigurinë. Poashtu jemi të gatshëm të bashkëpunojmë për organizimin e trajnimeve dhe sesioneve për të rinj, në mënyrë që të jenë më të përgatitur në rast të ndonjë fatkeqësie”, është shprehur Kryetari Rahimaj.
Edhe nga ana e tij zv.Ministri Syla ka shprehur gatishmërinë për bashkëpunim për çështjet e sigurisë.