Inspektorati i Lartë i Drejtësisë ka urdhëruar nisjen e hetimit disiplinor për kryetaren e Gjykatës së Elbasanit, Enkeleda Kapedani pasi bënte video në ambientet e zyrës në rrjetin social TikTok.
Urdhri nga inspektori i ILD-së, Artur Metani erdhi pasi në media qarkullonin video ku ajo bënte sfilatë dhe video për rrjete sociale në ambientet e Gjykatës.
“Zyra e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë u njoh me materialet filmike të shpërndara në media mbi magjistraten E. K., kryetare e Gjykatës Elbasan. Inspektori i Lartë i Drejtësisë, Artur Metani ka urdhëruar nisjen e hetimit disiplinor ndaj magjistrates për rastin”, thuhet në njoftim.
Kapedani u emërua kryetare e Gjykatës së Elbasanit në 30 shtator të vitit 2020, pas dorëheqjes së gjyqtarit Zihni Shahu.
Elbasani prej kohësh është kthyer në folenë e grupeve kriminale, ndërsa ekzekutimet vijojnë të ndodhin duke mos u dhënë zgjidhje nga institucionet e drejtësisë.
Edhe pse persona me precedentë kriminale vijojnë të lëvizin të lirë në qytet edhe me armë në brez, por sërish Kapedani nuk ka kryer detyrën e saj.
Pak ditë para zgjedhjeve të 25 prillit ndodhi vrasja e Pjerin Xhuvanit, që tronditi gjithë opinionin publik nga një përplasje me armë në mes të ditës.
https://www.youtube.com/watch?v=243pipbYyRE
Më 11 maj ndodhi ekzekutimi i Everest Çakës, i cili u vra me armë me silenciator në makinë në sy të bashkëshortes së tij në lagjen “Skënderbej” në Elbasan. /TCH/