Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbreshë Kryeziu-Hyseni ka thënë se janë duke pritur vendimin e Gjykatës Kushtetuese për të parë nëse mund të vazhdojnë tutje me procedurën e votimit të fshehtë apo duhet të kthehen në procedurën e votimit të hapur.
Mirëpo, sipas Kryeziut një vendim i Gjykatës Kushtetuese në favor të Lëvizjes Vetëvendosje do të ishte një shpërfaqje e rradhës e partive opozitare.
“Ne jemi bazuar në atë çfarë një aktvendim i Gjykatës Kushtetuese ka thënë në vitin 2014, pra që ka ofruar mundësinë e votimit të fshehtë dhe nuk mendoj që kemi bërë një veprim të jashtëligjshëm. Megjithatë ne po presim përgjigjen e Gjykatës Kushtetuese për të na treguar sesi do të vazhdojmë tutje, pra a do të vazhdojmë me procedurën e votimit të fshehtë apo do të kthehemi në procedurën e votimit të hapur. Vetëm unë po mendoj që nëse Gjykata Kushtetuese do të thotë që të votojmë tutje me votimin e fshehtë, atëherë po mendoj që këtu do ta kemi një shpërfaqje të rradhës të partive opozitare të cilat po e bllokojnë konstituimin e Kuvendit pikërisht duke mos e mundësuar votimin e fshehtë sepse ne jemi në të drejtën tonë duke shfrytëzuar një të drejtë që e ka ofruar një aktvendim i Kushtetueses në një situatë të tillë në të kaluarën”, ka deklaruar ajo pas dështimit të seancës së Kuvendit.