Kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj, ditë më parë tha se një vendim për liberalizimin e vizave mund të ndodhë brenda këtij viti, saktësisht në muajin dhjetor.Por nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GSJP), po e shohin të pamundshme një gjë të tillë.Përparim Kryeziu, përfaqësues i GSJP-së, thotë se Bashkimi Evropian deri më tani nuk ka shprehur ndonjë ndryshim të pozicionit sa i përket liberalizimit të vizave.
Kryeziu thotë se po shfaqet një mungesë e interesimit nga institucionet e BE-së për një vendim të tillë.“Sipas çdo kriteri vlerësues dhe çdo leximi të zhvillimeve politike brenda BE-së, gjasat që një vendim i tillë të merret brenda këtij viti janë pothuajse të pamundura. Vërehet se ka një mungesë të theksuar të disponimit për një vendim të tillë, si dhe për faktin se BE dhe institucionet e saj janë tashmë në fazën finale të konsolidimit të këtyre institucioneve pas zgjedhjeve brenda BE-së. Me një bindje të plotë e them se një vendim i tillë nuk pritet të ndodhë brenda këtij viti, presim se cilat do të jenë zhvillimet në fillim të vitit të ardhshëm”, tha Kryeziu.
Kryeziu deklaroi se pavarësisht vlerësimit pozitiv lidhur me luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar, kjo dukuri nuk është proces që duhet të përmbushët dhe mos të rishikohet.
Siç thotë ai, luftimi i korrupsionit dhe krimit të organizuar është përgjegjësi dhe duhet të bëhet një luftim më serioz.“Ekziston një raport të Komisionit Evropian i cili e ka vlerësuar pozitivisht këtë kriter. Me që rast ka dhënë një rekomandim pozitiv edhe për liberalizimin e vizave i cili pastaj është votuar nga Parlamenti Evropian. Ka ngecur për fat të keq në instancën e fundit të Këshillit të ministrave. Është bërë një përpjekje që të bëhet një luftim më serioz të korrupsionit në nivel të larta dhe krimit të organizuar. Luftimi nuk është që njëherë përmbushët dhe pastaj nuk ka nevojë të rishikohet. Luftimi korrupsionit është një përgjegjësi të cilën çdo qeveri duhet ta mbajë dhe këtë luftim duhet ta mirëmbajmë pasi të fillohet një luftim më serioz”, tha ai per ekonomiaonline.
Ai dërgoi mesazh edhe për qeverinë e re që ta mirëmbajë këtë vlerësim pozitiv, pasi sipas tij ky kriter do të kontribuojë në vlerësimin pozitiv të BE-së, raporton EO.“Qeveria e re duhet ta ketë të qartë se pavarësisht raportit të Komisionit Evropian i cili jep vlerësim pozitiv duhet të kujtojmë se kriteri duhet të mirëmbahet në mënyrë që të mirëmbahet edhe ky vlerësim pozitiv. Ky kriter është dashur të bëhet më herët dhe të mirëmbahet. Por është përgjegjësi e plotë e qeverisë së ardhshme që ta ketë parasysh për përgjegjësinë që të luftoj më ashpër. Kemi raste të cilat njihen si raste të shënjestruar të luftimin e korrupsionit udhëheqësit shtetëror dhe çdo përparim është i mirëseardhur dhe do të kontribuoj në vlerësim sa më pozitiv nga BE”, ka thënë Kryeziu.