Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbreshë Kryeziu – Hyseni, duke komentuar kërkesën e partive opozitare që të ndërrojnë kandidaten për kryeparlamnetare, Albulena Haxhiun ka thënë se nëse shkohet me këtë logjikë edhe ata do të kushtëzonin votimin e nënkryetarëve të partive tjera.
Ajo ka thënë se nga PDK për nënkryetar të Kuvendit do ta votonin vetëm Nait Hasanin ose Sala Jasharin, kurse asnjë nga LDK-ja.
Por, deputetja e VV-së ka thënë se kjo nuk është mënyra e duhur e funksionimit.
“Kuvendi nuk është vend dëshirash, por numrash të deputetëve që kanë dal nga zgjedhjet. Haxhiu është përfaqësuese e Vetëvendosjes dhe sigurisht që ne nuk do ta propozojmë dikë për të plotësuar dëshira të opozitës. Meqë kemi hyrë në këtë cikël dëshirash nga PDK për nënkryetar të Kuvendit do t’i pranojmë Nait Hasanin dhe Sala Jasharin dhe nuk do ta votojmë asnjë kandidat që propozon LDK në shenjë reciprociteti, pra po hyjmë në cikël dëshirash dhe po e mbajmë të bllokuar Kuvendit, nuk funksionin kështu”, ka thënë Kryeziu –Hyseni në një deklarim për emisionin “Mesditë” në Tëvë1.
Ajo ka thënë se janë të interesuar që Kuvendi të konstituohet, ndërsa ka thënë se zgjedhjet nuk i shohin si zgjidhje, por nëse nuk ka mundësi tjera janë të gatshëm.
Kryeziu – Hyseni, ka thënë se nëse shkohet në zgjedhje partitë opozitare do të kenë më pak numër të deputetëve në Kuvend.
“Zgjedhjet e reja te gatshme, por se di sa janë partitë tjera, sepse me një pal zgjedhje të reja këto do të vinin me numër më të vogël të deputetëve në Kuvend e madje do ta kishin shumë më të vështirë me kërkua kësi kërkesa. Nuk mendojmë që zgjidhja janë zgjedhjet dhe është e rëndësishme që Kuvendi të diskutohet”, ka thënë ajo.
Të mërkurën ka dështuar edhe tentimi i 26-të për konstituimin e Kuvendit.