Gjilan, 18 nëntor 2016 / Komiteti për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale (KSHMS) ka shqyrtuar raportin nëntëmujor të Qendrës për Punë Sociale, ku drejtori i këtij institucioni, Mursel Zymberi, ka thënë se edhe gjatë kësaj periudhe, kanë punuar me shumë përkushtim në mbështetjen e rasteve sociale, familjeve pa kulm mbi kokë, fëmijëve jetimë, fëmijëve të braktisur, sikurse edhe në aspektin e këshillimeve, trajtimit dhe ri-integrimit të rasteve të dhunës në familje.
Ai tha se pos asistencës së rregullt sociale, ku janë të përfshira 1112 familje me 4.600 anëtarë, gjatë kësaj periudhe janë shpërndarë rreth 2 mijë pako ushqimore për familjet në nevojë, me të cilat është arritur që të stabilizohet sadopak gjendja e rëndë sociale e këtyre familjeve.
Po ashtu, Zymberi ka thënë se është vazhduar me asistencë në pagesën e qirave mujore, renovim dhe ndërtim të shtëpive për familjet në nevojë. Në kuadër të aksionit “Pak nga ne, shumë për ata”, tashmë janë bërë me shtëpi të reja një numër i konsiderueshëm i familjeve në Gjilan, ndonëse nevojat për banim janë ende të mëdha.
Lëvizje pozitive sa i përket raportimit të rasteve, ka edhe te dhuna në familje. “Ne ndërmarrin hapat e nevojshëm që këto raste të trajtohen sipas ligjit, duke kërkuar edhe mundësi për tejkalimin e konfliktit ndër familjar, si një fenomen negativ i shoqërisë sonë, në përgjithësi”, ka thënë ai.
Përndryshe, ne periudhën janar-tetor 2016, janë regjistruar 47 raste, që krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, janë për 21 raste më shumë, por që dallimi në shifra nuk do të thotë se ka pasur rritje të dhunës, porse arsyeja është te referimi i rasteve.
Ai ka përmendur edhe rastet e delikuencës, përfshirja e fëmijëve në punë të rënda, rastet në rritje të shkurorëzimeve krahasuar me periudhën e njëjtë. Gjatë kësaj periudhe janë evidentuar 3 raste të braktisjes së fëmijëve të posa lindur, 5 kërkesa për adoptim vendor.
Ka raste të fëmijëve të përfshirë në kryerjen e punëve të rënda, fëmijë pa përkujdesje prindërore, martesa të parakohshme dhe të tjera, të cilat janë trajtuar me kujdes të veçantë nga punëtorët socialë.
“Të gjitha rastet që janë adresuar në Qendrën për Punë Sociale, i kemi trajtuar në mënyrën më profesionale të mundshme”, ka thënë Zymberi.
Ai është përgjigjur edhe në pyetjet e Jashar Jasharit, Fatbradha Selmanit, Mirvete Kurteshit, Selvete Shurdhanit, Nexhat Halilit e Veton Ukës.
Nexhat Hajrullahu, drejtor për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, ka thënë se për fat të keq, mundësitë për të bërë diçka më tepër në sferën e mirëqenies sociale janë të kufizuara. Sipas tij, komuna e Gjilanit është e dëmtuar në ndarjen e buxhetit.
Jashar Jashari, kryesues i Komitetit, ka kërkuar nga drejtori i QPS që të vazhdojnë t`i trajtojnë e përkushtim rastet sociale dhe njëkohësisht u ka dhënë mbështetje kërkesave të këtij institucioni.
KSHMS e ka rekomanduar për Komitetin për Politikë dhe Financa raportin e Qendrës për Punës Sociale, me kërkesë që të shikohen mundësitë për kompensimin e kujdestarisë së punëtorëve socialë, sigurimin e veturave për punë në terren si dhe rritjen e stafit.
KSHMS: Nevojitet vëmendje edhe më e madhe ndaj mirëqenies sociale
Ndani këtë artikull