Komiteti për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale (KSHMS) ka miratuar raportin e Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare për kontrollet sistematike të nxënësve të shkollave fillore në Komunën e Gjilanit. Dr Jashar Jashari, kryesues i kësaj trupe komunale, ka thënë se ky projekt tashmë është bërë pjesë e agjendës vjetore të punës së QKMF-së, që ka për qëllim zbulimin, evidentimin, parandalimin dhe trajtimin e hershëm të sëmundjeve dhe anomalive tjera të ndryshme te nxënësit.
Jashari e ka vlerësuar tepër të rëndësishëm këtë plan të kontrollit sistematik të nxënësve, që është zhvilluar në 24 shkolla fillore në qytet dhe fshatrat, ku janë përfshirë mbi 4.500 fëmijë të klasave një, pesë dhe nëntë.
Përndryshe, detajet e këtij projekti i ka prezantuar Fejzullah Berisha, drejtor i QKMF-së, i cili ka thënë se kontrollimi është kryer në periudhë-shkurt-qershor 2016. Vizitat sistematike të nxënësve të shkollave fillore të Komunës sonë janë një element i rëndësishëm që na mundëson detektimin e hershëm të çrregullimeve dhe sëmundjeve që paraqiten tek fëmijët e kësaj moshe, ka thënë Berisha.
Në këtë projekt janë vlerësuar 30 parametra mjekësor në formularin e gjendjes së përgjithshme shëndetësore si dhe 14 parametra të shëndetit oral të nxënësve.
Me pedikulozë kanë rezultuar 153 raste në qytet si dhe 148 në fshatra, me probleme në kraharor – 98 në qytet dhe 62 në fshatra, me sëmundje të syve – 8 raste në qytet, ndërkaq në shkollat e fshatrave nuk ka pasur asnjë rast, me probleme dëgjimi – 5 raste në qytet, asnjë në fshatra.
Një numër i konsiderueshëm i nxënësve kanë probleme me hundë – 322 në qytet dhe 260 në fshatra, probleme me zemër kanë 8 nxënës gjithsej, të meta në të folur – 54 dhe anomali të tjera.
Berisha i ka prezantuar shifrat edhe sipas shkollave dhe klasave, gjinisë, duke konstatuar se sa i përket aspektit shëndetësor, në qytet janë konstatuar parametra më të lartë se sa tek nxënësit e fshatrave, në papastërti, pedikulozë, qëndrim trupor, probleme të kraharorit, sëmundje të syve, mbajtje të syzave, probleme me dëgjim, probleme me hundë, me zemër dhe të tjera, ndërkaq në fshatra ka më tepër probleme të boshtit kurrizor dhe zgjebe, megjithëse rastet kanë qenë të pakta.
Duhet pasur parasysh se në qytet, numri i nxënësve që i janë nënshtruar kontrollimit sistematik është më i lartë, ka thënë Berisha.
Sa i përket shëndetit oral, pothuaj se në të gjitha shkollat, si në qytet, ashtu edhe në fshat, janë vërejtur probleme me dhëmbë tek nxënësit e të gjitha klasave dhe më tepër te dhëmbët e përhershëm se sa tek dhëmbët e qumështit.
Nxënësit e shkollave të qytetit, kanë më shumë probleme orale, se sa nxënësit e fshatit, ka thënë dr Fejzullah Berisha, drejtor i QKMF-së.
Në debatin për raportin e kontrollit sistematik të nxënësve, janë përfshirë edhe Nexhat Hajrullahu, drejtor për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale si dhe anëtarët e kësaj trupe komunale, që kryesisht janë mjekë, Nexhat Halili, i cili ka punuar me ekipe në terren, Fatbardha Selmani, Selvete Shurdhani, Mirvete Kurteshi dhe Veton Uka.