Shkruan: Izmi Zeka
Nuk di se si po shkruhet historia jonë, pa koncept, strategji kombëtare as edhe për ngjarjet që ruajtën qenien tonë shqiptare.
Ndoshta ne jemi të kënaqur me vetveten me ato pak gjëra që duken, shkruhen dhe bëhen.
Personalitete kombëtare që as dëgjohen dhe nuk ka një vend në Kosovë së paku të vendoset një shtatore që do ti bënte nderë Kosovës dhe historisë së saj është Azem Bejta me bashkëshorten e tij Shote Galica.
Disa kanë dëgjuar e disa ndoshta kanë lexuar për të bëmat e këtij qifti në histori. Por të rrallë janë në histori që burrë e grua deri në vdekje luftuan për vendin dhe shqiptarët.
Azem Bejta e Shotë Galica tani i përkasin historisë kombëtare por ajo që e bënë kombin tonë të pa konsideratë apo neglizhent është se si nuk u pa e udhës të skaliten diku në Kosovë apo në Prishtinë këto dy portrete që i dhanë shumë kombit.
Ndoshta ka edhe njerëz që mendojnë që me ta fillon historia e ka disa që mendojnë se edhe vetë jeta fillon me ta. Ky është gabimi substancial që i bëhet vendit dhe zhvillimit tonë si komb.
Dilni pak e shëtitni boten, shihni Parisin e Londrën a po kudo tjetër. Aty do të gjeni historinë përmes statujave, shtatoreve, busteve etj ku do të mësoni historinë e popujve gjatë gjithë ekzistencës së tyre.
Andaj Shtatorja e Azem Bejtës dhe Shotë Galices në Prishtinë paraqesin emancipimin shqiptarë dhe luftën për liri.
Deri me rënien e Fehmi Lladrovcit e Xhevës , Ademit me Adilen dhe Tefikut me Nushin në luftën e fundit pak kemi personalitete që burrë e grua luftuan deri në rënie për lirinë shqiptare.