Enver Sadiku
Bekim Maliqi, që ka ndërruar jetë dje, në vitet e 90-ta ishte lojtar i Dritës, kurse ai kishte qenë njëri nga lojtarët që kishte luajtur në derbin ndërmjet Dritës dhe Gjilanit, të lujtur në kuadër të xhiros së dytë, stinori vjeshtor në Kampionatin e Kosovës në Futboll – Grupi i Ferizajt.
Bekim Maliqi kishte luajtur në rolin e mesfushorit e kjo ndeshje ishte zhvilluar në vitin 1995, në fushën e fshatit Malishevë.
Ishte kjo një ndeshje tejet interesante që prej minutës së parë, por ajo ishte ndërprerë një minutë para mbylljes së takimit, pranë rezultatit 0:2, në të mirë të Gjilanit. Pak para se të mbyllej ndeshja, Gjilani kishte shtuar epërsinë në 0:2, kurse lojtarët e Dritës ishin të pakënaqur me vendimin e gjyqtarit kryesor Enver Qosja nga Podujeva, duke pandehur se goli i shënuar nuk ishte i rregullt. Në ndërkohë, të pakënaqur me golin e pranuar edhe shikuesit e Dritës ishin futur brenda fushës së lojës dhe gjyqtari duke parë se nuk kishte kushte normale për zhvillimin e ndeshjes kishte dhënë shenjë për ndërprerjen e saj./kryelajmi.com/.
Loja u zhvillua në fushën e fshatit Malishevë. Shikues: 1500. Gjyqtarë: Enver
Qosja me ndihmësit e tij O. Thaqi dhe N. Ajvazi, që të tre nga Podujeva. Kartona të verdhë: Bujar Ramadani (Drita), Besnik Bunjaku, Veton Xhemajli, Halimi (Gjilani ’95). Shënues: Veton Xhemajli në minutën 63 dhe Xhevdet Muji në minutën ’89.
Drita: Mustafë Ibrahimi, Afrim Salihu, Afrim Mehmeti, Bekim Maliqi, Bujar Ramadani, Ismajl Rashiti, Landrit Ibrahimi, Blerim Sahiti, Bekim Isufi, Shefket Sermaxhaj, Gazmend Hyseni. Trajner: Skender Hoxha.
Gjilani ’95: Besnik Bunjaku, Veton Xhemajli, Daut Murseli, Halil Halili, Adnan Aliu, Bekim Jaha, Agron Krasniqi, Naser Ajeti, Haki Azemi, Arben Maliqi, Xhevdet Muji. Trajner: Refik Rexhepaj.
Në këtë kohë, në mes të Dritës dhe Gjilanit rivaliteti ishte në fushë e këtë më së miri e dëshmon edhe kjo foto e bërë nga Afrim Kqiku (Foto Fari) në të cilën të dy ekipet shihen në një foto të përbashkët.