Prokuroria Themelore në Gjilan, ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit nga Gjykata Themelore në Gjilan, ndaj të pandehurit S.J., pasi dyshohet se ka kryer veprat penale ‘’Kultivimi i bimës së hashashit, shkurres së kokainës ose bimëve të kanabisit’’ dhe ‘’Posedimi i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge’’, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Sipas kërkesës, ekziston dyshimi i bazuar se, i pandehuri S.J., më 14 Gusht 2024, në komunën e Kamenicës, me dashje, pa autorizim dhe me qëllim të prodhimit të narkotikëve, ka kultivuar bimën e kanabisit, në atë mënyrë që gjatë realizimit të urdhërkontrollit, nga ana e zyrtarëve policor në oborrin e shtëpisë së tij janë gjetur 8 bimë të llojit ‘’Canabis Sativa’’, me gjatësi prej 45 cm – 1.30m, në katër vazo të plastikës.
Gjithashtu, tek i pandehuri është gjetur edhe substancë narkotike, e llojit ‘’Marihuanë’’, në peshë prej 1.00gr., të cilat janë sekuestruar.
Me këto veprime i njëjti dyshohet të ketë kryer veprat e sipërshënuara penale.