Eko Lëvizja e Gjelbër ka reaguar kundër propozimit të disa deputetëve të Kosovës, që të bëhet ndryshime në Ligjin për importimin e veturave, duke e mundësuar importimin e veturave më të vjetra se dhjetë vjet.
Në një komunikatë të kësaj organizate, qarkullimi i veturave në Kosovë është ndër ndotësit kryesorë të ambientit.
“Qarkullimi i automjeteve në Kosovë radhitet ndër ndotësit kryesor, menjëherë pas Korporatës Elektro Energjetike të vendit, andaj, është obligim i institucioneve tona, që sa më parë , të ndërmarrin masa adekuate për zbutjen apo përmirësimin e kësaj gjendje tejet të rënd mjedisore në Kosovë”, thuhet në komunikatë.
Kjo organizatë e vlerëson si katastrofë ekologjike të radhës nëse Kosova vendos që të lejojë importimin e veturave të vjetra. Ajo ka thënë se do të përdorë çdo mundësi legale për të pamundësuar një “vendim të papërgjegjshëm”.
Eko Lëvizja e Gjelbër ka apeluar te dikasteret kompetente, që mos të miratojnë vendim, apo çfarëdo akti tjetër që do të mundësojë eventualisht importimin e veturave në Kosovë, më të vjetra se 10 vjet dhe të njëjtat t’i nënshtrohen procedurave doganore në vend.