Bekim Kupina, këshilltari i presidentes, Vjosa Osmani, e ka demantuar publicistin Nexhmedin Spahiun, pasi ky i fundit foli për pagën e presidentes duke e krahasuar me pensionin minimal në Kosovë.
Një kritikë e Spahiut drejtuar Osmanit rreth pagës së saj, krahasuar me atë të Vuçiqit, bëri të reagojë këshilltari i presidentes duke thënë se i pari i Serbisë mund të paguhet më pak, por mbetet i lidhur me bandat e krimit.
“Dihet se Presidentja ka vetëm një burim të ardhurash dhe drejton një institucion, në të cilin paratë e taksapaguesve trajtohen me përgjegjësi maksimale. Në të kundërtën, Vuçiqi mund ta marrë zyrtarisht një pagë të një niveli tjetër, porse mbetet i lidhur me bandat kriminale sikurse edhe nivel të lartë të korrupsionit. Serbia mund të ketë të hyra të shumta, porse i përdor për investime në ushtrinë e saj me armatim nga Rusia, duke e kërcënuar gjithë rajonin”, ka shkruar Kupina.
Kupina tha se presidentja Osmani e ka pagën 2 mijë e 700 euro, e jo 4000 siç pretendon Spahiu.
“Paga që e merr Presidentja është 2700 euro (e jo 4000) dhe kjo e dhënë është publike”, është shprehur këshilltari i Osmanit.
Tutje, Kupina tha se Spahiu duke tentuar ta kritikojë presidenten Osmani, ka dërguar lëvdata në drejtim të presidentit të Serbisë.
“Ai ka drejtuar kritika ndaj nivelit të pagës së Presidentes (pagë të cilën nuk e ka caktuar Presidentja Osmani) e në këtë kontekst ka lavdëruar presidentin e Serbisë, i cili sipas tij merr pagë më të ulët”, ka thënë Kupina.