Gjendja e rëndë në kompaninë e pastrimit ‘’Eco higjiena’’, po e çon këtë ndërmarrje drejt falimentimit. Tash jemi në situatën që të përpiqemi ta shpëtojmë atë që ka mbetur.
KRM ‘’Higjiena’’ dhe SH.A ‘’Eco Vizion’’ SHPK janë bashkuar në vitin 2012, me kapital 49 % për Higjienën dhe 51% për Eco Vizionin. Kjo marrëveshje na është prezantuar si fitimprurëse për Komunën, ngaqë “Eco Vizion” është paraqitur si kompani austriake që do t’i investojë 1,500,000.00 euro brenda 30 muajve të parë (neni 5 i marrëveshjes).
Përveç që ky investim nuk është bërë asnjëherë, shihet se kjo kompani është e regjistruar në ARBK me vetëm 1,000 euro kapital. Në pikën 2 të nenit 5 të marrëveshjes, shkruan se investitori obligohet t’i mbajë punëtorët aktualë konform ligjit të punës.
Që nga nënshkrimi i marrëveshjes e deri më sot, nga “Eco Higjiena” janë larguar 53 punëtorë. Pra, 53 familje gjilanase kanë mbetur pa të hyra.
Ndërkohë, Gjilani është shndërruar në një deponi të madhe të mbeturinave. Mbeturina sheh kudo, edhe nëpër rrugë, edhe nëpër parqe. E kompania, e pangopur me fitimet dhe pa kryer shërbimin e duhur për qytetarët, tashmë i ka shitur për hekur asetet kryesore, si kontejnerët dhe kamionetat “IVECO”, që ishin pronë e ndërmarrjes publike KRM “Higjiena”.
Marrëveshja në mes të Higjienës dhe Eco Vizionit, duhet të prishet sa më parë. Qytetarët e Gjilanit nuk duhet ta bartin mbi supet e tyre një marrëveshje të tillë kriminale. Kushdo që ka qenë pjesë e kësaj skeme, duhet të përgjigjet para drejtësisë për dëmet e pariparueshme që ia ka shkaktuar komunës sonë.
Festa Shabani
Këshilltare Komunale
PSD