Urime Dita e Veteranit të UÇK-së, Arton Hoxha.
Më në fund, një rrëfim që është kërkuar prej kohësh nga ti.
Kur çanta e studentit u bë pushkë e ndërgjegjes!
Vitet e mia si student nisën në Tiranë, një qytet që për shumë prej nesh nga Kosova, ishte stacioni i parë drejt ëndrrave tona. Çdo mëngjes ishte një sfidë për të kuptuar më shumë, për të lexuar më thellë, për të besuar se dijen do ta kthenim në forcë për vendin tonë.
Por historia kishte plane të tjera për ne.
Një ditë, heshtja e librave u mbyt nga zëri i Kosovës që digjej. Shtypi, lajmet, dhe më shumë se gjithçka ndërgjegjja më thanë se nuk mund të rrija më në karrigen e studentit, ndërkohë që populli im po vritej e po masakrohej përditë. Nuk ishte as thirrje politike, as urdhër ishte një vendim që vinte nga thellësia e shpirtit: të lë gjithçka pas, të mbyll librat dhe të hap një kapitull tjetër më të vështirë, më të rrezikshëm, por edhe më të ndershëm.
Ky është rrëfimi im që shpesh kam mbajtur brenda. Një pjesë tjetër e historisë sime, që deri tani nuk e kam thënë, është se fati më deshi të jem pjesë e Brigadës 138 “Agim Ramadani”.
Ky emër për mua nuk është thjesht histori, ai është plagë dhe krenari, dhimbje dhe shpresë një gjurmë e pashlyeshme në shpirtin tim. Është historia e shokëve që nuk janë më, por që jetojnë në çdo frymëmarrje të luftës dhe në çdo ëndërr për liri.
Të jem pjesë e asaj brigade nuk është vetëm një kujtim është përgjegjësia dhe nderi që mbaj me vete çdo ditë.
U nisa. Jo si ushtar profesionist, por si njeri i thjeshtë, si një student që niset për herë të parë në fakultet, me pasiguri në zemër dhe ndjenjën e humbjes në shpirt. Por ajo ndjesi që pata atë ditë… ende sot nuk di si ta përshkruaj. Ishte gëzim? Ishte lumturi? Nuk e di. E di vetëm se në ato çaste ndjeva diçka që nuk e kam ndjerë më kurrë në asnjë rrethanë tjetër, në gjithë këto 26 vite.
Nga Tirana drejt Bajram Currit, e më pas në një fshat të largët të Tropojës, të quajtur Papaj pranë kufirit me Kosovën me idealin më të madh të rinisë sime në shpinë, lirinë.

Ishin ditë të ashpra, me pak fjalë dhe shumë heshtje. Por edhe me sy që ndriçonin, sepse besonim. Lufta na rriti, na ndryshoi, na rrëmbeu shumë, por edhe na mësoi se ka gjëra që vlejnë më shumë se vetja dhe një prej tyre është atdheu.
Në luftë mësova më shumë sesa në çdo libër, për njeriun, për sakrificën, për humbjen. Kam parë shumë gjëra që s’do doja t’i shihja kurrë, humba shokë me të cilët kam ndarë të njëjtën dhomë, që ndanim bukën, heshtjen dhe shpresën. Një mëngjes nuk u zgjuan më. E kam ende të gjallë atë ndjesi një boshllëk i papërshkrueshëm që s’mbushet me fjalë, as me kohë.
Ata nuk ishin vetëm një shok lufte, ishte një copë e asaj rinie që nuk do të kthehet më.
Dhe e ndjej ende sot. Nuk është veç kujtim, është dhimbje që jeton brenda meje. Ka ditë që zgjohen më herët se unë kujtimet. Fytyrat e tyre më dalin para syve në mënyrë të beftë, në heshtje, pa zhurmë, por me peshë.
Në një shikim të shkurtër, në një zë që më kujton të qeshurën e tyre, në një moment ku duhej të ishim bashkë, por mungesa bërtet. Kam mësuar të eci me këtë dhimbje, por kurrë nuk mësohesh me boshllëkun që lë humbja e dikujt me të cilin ke ndarë çdo ditë jetën dhe vdekjen.
Çdo natë flinim me mendjen te nesërmja, duke mos ditur kush prej nesh do të mungonte dhe nuk do të kthehej më.
Ka njerëz që thonë “koha i shëron të gjitha”. Por kjo nuk është një nga to. Koha nuk e zbeh këtë mall. Thjesht mëson të jetosh me të si me një plagë që nuk rrjedh më gjak, por që dhemb çdo herë kur e prek kujtimi.
Dhe unë e prek shpesh.
Pa dashje.
Pa kontroll.
E ajo dhimbje është aty. Jo për të më thyer, por për të më kujtuar sa shumë vlejnë ata që nuk u kthyen.
Me këtë dhimbje në shpirt, me këtë mungesë që s’mund të zëvendësohet, vendosa të rikthehem atje ku e kisha lënë jetën pezull në Tiranë. Jo për të harruar luftën, por për të nderuar ata që nuk u kthyen. Isha kthyer në jetë, por jo më i njëjti. Librat më prisnin, por tani i lexoja me sy që kishin parë dhimbje, sakrificë dhe me mendje që dinte peshën e lirisë. Premtimi që i kisha dhënë vetes, që kjo rrugë do të vazhdonte edhe pas pushkës duhej mbajtur.
I përfundova studimet me një pjekuri tjetër, me një dhembje të heshtur që më shoqëronte në çdo hap, por edhe me një vendosmëri të re për të mos e humbur qëllimin. Sepse liria për të cilën luftuam, kishte nevojë të ndërtohej.
Me dije.
Me përgjegjësi.
Me përkushtim.
Gjilani, qyteti im, është pjesë e kësaj rruge. E shoh dhe e ndjej përditë si një kujtim i së kaluarës, si një sfidë e të tashmes dhe si një premtim për të ardhmen. Një qytet që meriton të jetë më shumë se thjesht një adresë , meriton të jetë vendi ku njerëzit jetojnë me dinjitet, ku historia respektohet dhe e ardhmja ndërtohet.
Shteti për të cilin dhamë gjithçka ende po merr formë. Nuk është ende ashtu siç e deshëm, por sepse kemi luftuar për të, nuk guxojmë ta lëmë përgjysmë.
Por rruga nuk ka mbaruar. Jo ! ajo sapo ka filluar.
Rruga drejt një vendi të drejtë, të ndershëm, me dinjitet për secilin, kërkon po aq guxim sa dikur në luftë vetëm se sot armët janë të tjera, dije, përgjegjësi, ndershmëri dhe punë e palodhur.
Nuk ka lavdi të shpejtë, ka qëndresë të gjatë. Dhe përkushtimi që dikur na shtyu drejt zjarrit, sot duhet të na udhëheqë drejt punës me nder dhe dashuri për vendin.
Sepse liria e fituar me gjak, nuk mjafton të kujtohet ajo duhet të mbrohet me veprim, çdo ditë.
Sot, kur kthej kokën pas, nuk e shoh veten as si hero, as si viktimë. E shoh si njeri që zgjodhi të mos qëndrojë duarkryq. Dhe nëse më duhet të zgjedh përsëri, do të bëj të njëjtën rrugë nga Tirana në front, nga studimi në qëndresë, nga ëndrra për veten në ëndrrën për vendin.
Di te them se Liria nuk është trashëgimi, ajo dëshmohet çdo ditë, me jetën që bëjmë, me zgjedhjet që bëjmë, me të vërtetat që nuk i fshehim.
Dëshmohet me guximin për të qenë të drejtë, edhe kur askush nuk na sheh.
Sepse çdo ditë që harrojmë ata që ranë, është një ditë që na errëson.
E çdo herë që heshtim përballë padrejtësisë, ua zbehim gjakun.
Liria nuk kërkon duartrokitje kërkon dinjitet.
Siç tha Adem Demaçi:
“Liria nuk dhurohet. Ajo merret me sakrificë dhe mbahet me përgjegjësi.”

