Deputetja nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Fitore Pacolli, ka thënë se beson që shtesat prej 100 euro për punëtorët e sektorit privat do të dalin gjatë këtij muaji, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
Datë të saktë s’ka dhënë, meqenëse ka thënë se nuk e di, por shtoi se beson se kjo punë do të kryhet gjatë këtij muaji.
“Unë besoj që brenda këtij muaji do t’i marrin”, ka thënë Pacolli në ATV.
Ndryshe, punëtorët e sektorit privat dhe studentët ende nuk i kanë marrë 100 eurot , të cilat iu premtuan nga kryeministri Albin Kurti, më 12 prill.
Shtesat deri tash u kanë dalë vetëm pensionistëve dhe punëtorëve të sektorit publik.
Aplikimi për këto shtesa për punëtorët e sektorit privat është hapur më 21 prill.
Në njoftimin për hapje të aplikimit, Ministria kishte paralajmëruar qytetarët se nëse të dhënat janë të pasakta, ata s’do të mund të përfitojnë nga subvencionimi.
“Vlen të theksohet se të dhënat duhet të jenë të sakta, dhe llogaria bankare duhet të jetë në emër të përfituesit. Përndryshe, nëse të dhënat e plotësuara janë të pasakta, përfshirë numrin e llogarisë bankare, atëherë aplikuesi nuk do të mund të përfitojë nga subvencionimi.
Kusht për kualifikim për mbështetje nga kjo masë është që punëtori të ketë qenë i deklaruar si i punësuar në periudhën tatimore 𝐬𝐡𝐤𝐮𝐫𝐭 𝟐𝟎𝟐𝟐. Punëtorët të cilët janë deklaruar nga punëdhënësi në periudhën tatimore mars 2022, mund të aplikojnë, mirëpo subvencionin do të mund ta përfitojnë vetëm pasi të jenë deklaruar edhe për periudhat tatimore prill dhe maj, që nënkupton se subvencionin do të mund ta marrin në fund të muajit qershor 2022”, thuhej në njoftimin e Ministrisë./Reporteri.net