Cila është data për regjistrim.
Të hënën, më 18 qershor, fillon afati për regjistrimin e nxënësve në shkolla të mesme të Kosovës, për vitin shkollor 2018/19. Zyrtarë të Ministrisë së Arsimit kanë bërë të ditur për Radio Kosovën se këtë vit pritet të pranohen mbi 30 mijë nxënës në gjimnaze dhe shkolla profesionale.
Konkursi për pranimin e nxënësve në shkolla të mesme do të hapet me datë 18 qershor dhe do të jetë i hapur deri me datë 21 qershor, tha për Radio Kosovën zyrtari për arsimin e mesëm dhe të lartë në Ministrinë e Arsimit, Arian Mustafa.
“Konkursi për regjistrimin e nxënësve në klasën e dhjetë të arsimit të mesëm të lartë për vitin shkollor 2018/ 19 do të shpallet nga drejtoritë komunale me datën 18 qershor dhe do të jetë i hapur deri me 21 qershor”, tha ai.
Mustafa po ashtu tha se në bazë të konkursit të shpallur këtë vit, pritet të pranohen mbi 30 mijë nxënës në gjimnaze dhe në shkolla profesionale.
“Në këtë vit shkollor, në vitin 2018/19, sipas planifikimit të drejtorive komunale, do të regjistrohen 12.765 nxënës ose 409 paralele në gjimnaze, ndërsa në shkolla profesionale 18.226 nxënës
ose 653 paralele. Gjithsej në nivel vendi planifikohet të regjistrohen 30. 994 nxënës ose 10. 72 paralele”, shtoi ai.
Pranimi i nxënësve do të monitorohet nga përfaqësues të MASHT-it, ndërsa rezultatet do të shpallen me datë 26 qershor.