Pandemia COVID-19 ka shkaktuar telashe të mëdha për të gjithë, si në aspektin shëndetësor, ashtu edhe në atë ekonomik. Me shfaqjen e saj janë paralizuar shumë veprimtari, e në mes të tyre edhe qarkullimi i njerëzve dhe i automjeteve.
Tani pas lehtësimit të masave qytetarët duan të dinë se kur do të mundë të përdorin transportin tokësor, përkatësisht autobusët, për të udhëtuar nga Kosova për në shtetet e tjera.
E në këtë pyetje kanë dhënë përgjigje zyrtarë të Stacionit të Autobusëve, duke thënë se ata tashmë janë të gatshëm që të startojnë menjëherë me këto udhëtime.
“Qysh nga sot jemi të gatshëm për qarkullimin ndërshtetëror, vetëm po presim një reflektim nga institucionet. Duke u bazuar në informacionet që kemi nga regjioni, tashmë kanë filluar ta bëjnë hapjen dhe ne si vend duhet gradualisht t’u bashkohemi këtyre rrethanave”, tha në RTK drejtori i Stacionit të Autobusëve, Luan Hoti.