Me siguri secili prej jush e keni një ide se kush do ta formojë Qeverinë e ardhshme të Kosovës, ndonëse situata këtë herë është goxha e paqartë. Por, a e dini para cilave afate ligjore gjendet Kosova?
Të supozojmë se jemi rreth mesit të muajit mars, kur pritet të përfundojë saga e numërimit dhe e certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit në Kosovë.
Atëherë nis sfida e re – ajo e formimit të Qeverisë.
Sipas njohësve të çështjeve politike, situatë më të paparashikueshme sesa kjo aktuale në Kosovë nuk ka pasur prej vitesh.
Asnjëra parti nuk ka regjistruar fitore bindëse për të formuar e vetme Qeverinë, ndërsa bashkimi i forcave këtë herë duket proces i ndërlikuar.
Cilat janë procedurat përpara?
Presidentja Vjosa Osmani duhet të thërrasë mbledhjen konstituive të Kuvendit të Kosovës, e cila duhet të mbahet më së largu 30 ditë pas certifikimit të rezultatit zyrtar zgjedhor nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ).
Kjo mbledhje konsiderohet e mbyllur vetëm pasi të jenë zgjedhur kryetari dhe nënkryetarët e Kuvendit.
Në bazë të rezultateve preliminare, kryetari i Kuvendit do t’i takojë Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), e cila ka fituar më së shumti vota. Por, nëse kjo parti nuk e propozon dikë për kryetar, procesi do të ngrijë në vend.
Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës na rikujton që, nëse kjo ndodh, nuk do të ishte hera e parë:
“Bazuar në praktikën e vitit 2014, kur procedura e konstituimit të institucioneve kishte zgjatur gjashtë muaj – atëkohë Gjykata Kushtetuese nuk ka përcaktuar afat ligjor, as kushtetues, se brenda çfarë periudhe është i obliguar subjekti fitues i zgjedhjeve që të propozojë një kandidat për kryetar të Kuvendit”.
Sipas tij, nëse nuk do të ketë aktgjykim tjetër të Kushtetueses, procesi mund të zvarritet deri vitin e ardhshëm, kur të skadojë mandati i presidentes, dhe të mbahen zgjedhje të jashtëzakonshme.
Më 2014, procesi ishte zhbllokuar vetëm kur Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) kishte braktisur bllokun e atëhershëm opozitar, dhe i ishte bashkuar Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) në koalicion qeveritar.
Pse mund të krijojë bllokadë LVV-ja?
Partia e kryeministrit aktual, Albin Kurti, mund t’i zvarrisë proceset nëse nuk arrin të formojë koalicion të qëndrueshëm për të përmbyllur ciklin e formimit të institucioneve.
Por, nëse kryetari i Kuvendit zgjidhet, atëherë nisin tiktaket e orës për afatet tjera.
Presidentja e vendit obligohet që të nominojë partinë fituese të zgjedhjeve si mandatare për formimin e Qeverisë.
Ndonëse as këtu nuk ekziston një afat i saktë, vendimet në fuqi përcaktojnë që procesi duhet të zhvillohet “sa më parë që të jetë e mundur”.
“Unë pres që sapo presidentja të nominojë kandidatin që propozohet nga Lëvizja Vetëvendosje, i njëjti do të jetë i obliguar që brenda një afati prej 15 ditësh ta propozojë para Kuvendit përbërjen e kabinetit qeveritar”, ka sqaruar Cakolli.
Kabineti duhet t’i sigurojë votat e 61 deputetëve brenda këtij afati. Por, nëse kjo nuk ndodh, presidentja është e obliguar që brenda 10 ditëve t’i ftojë në konsultim edhe një herë partitë politike, edhe të vendosë, sipas diskrecionit të saj, për mandataren e re, nëse ajo ia dëshmon se i ka numrat për të formuar Qeverinë.
Edhe mandatarja e ardhshme duhet t’i ketë 15 ditë kohë që t’ia paraqesë Kuvendit përbërjen e kabinetit qeveritar.
Nëse Qeveria nuk formohet as pas 40 ditësh, presidentja duhet të shpallë dekretin për zgjedhjet e reja, që duhet të mbahen dyzet ditë prej shpalljes së vendimit.
Cili është skenari më i mundshëm?
Sipas Cakollit, asnjëra prej partive nuk po duket që ka as ndonjë nguti, dhe as ndonjë interes për formimin e institucioneve:
“Në njërën anë, LVV-ja duket se do ta ketë tejet të vështirë gjetjen e partnerëve në mesin e partive shqiptare, për shkak se, të paktën, në bazë të rezultateve të deritashme, nuk e ka një partner të tillë dhe vetëm me parti minoritare joserbe nuk mund ta formojë Qeverinë. Besoj që do ta ketë tejet të vështirë, dhe si rrjedhojë do të tentojë që të bllokojë formimin e institucioneve përmes mosemërimit të kandidatit për kryetar Kuvendi”.
Partitë opozitare do të mund të kenë sfidë tjetër, nëse supozojmë se do të kryhet çështja e kryetarit të Kuvendit.
“Ato do ta kenë problem çështjen e presidentit – e cila menjëherë do të jetë në muajin mars dhe prill të vitit të ardhshëm – pasi LVV-ja, me 47 deputetë, sa i ka në bazë të projeksioneve të tanishme, mund ta bllokojë sërish zgjedhjen e presidentit dhe të shkaktojë zgjedhje të parakohshme”, ka vlerësuar Cakolli.
Partitë mund të mos kenë gatishmëri për të lëvizur përpara, sepse, sipas Cakollit, bëhet fjalë për sfidën e sigurimit të votave, por edhe kërkesat e faktorit ndërkombëtar që mund të peshojnë ndaj Qeverisë së re.
Kush do të mund ta formonte një Qeveri më stabile?
Cakolli ka thënë se përvoja nga zgjedhjet e vitit 2021 ka treguar se as edhe një Qeveri me 68 deputetë nuk ka qenë e mjaftueshme për kalim të projektligjeve në mënyrë efikase.
“Për një skenar më solid nevojitet një koalicion mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe partive shqiptare”, ka pohuar ai, duke përmendur si më të mundshëm një bashkim mes LVV-së dhe PDK-së, edhe për shkak të votave që duhen për pozitën e presidentit të ardhshëm.
Në diskutime partiake e jashtë tyre ekzistojnë edhe plot skenarë, dhe thuhet se po bëhen edhe plot matematika tjera./Radio Evropa e Lirë/