Kreu i Ministrisë së Drejtësisë, Abelard Tahiri, ka bërë të ditur se aktualisht janë 42 raste të shënjestruara, të cilat janë duke u përcjellë vazhdimisht nga Bashkimi Evropian.
Tahiri është shprehur i bindur se institucioni që ai drejton ka përmbushur të gjitha kriteret e kërkuara nga BE.
“Aktualisht janë 42 raste të cilat përcillen në vazhdimësi. Një pjesë e tyre janë me vendim të formës së prerë që ka përfunduar gjykimi i tyre, një pjesë janë në ngritje të aktakuzave, një pjesë janë vetëm në fazën e hetimeve dhe të gjitha këto monitorohen nga Bashkimi Evropian”, tha ai për Ekonomia Online.
Tahiri ka ndarë detaje edhe nga vizita e misionit të BE-së, që para disa javësh ka mbledhur të dhëna lidhur me plotësimin e kritereve të kërkuara për liberalizmin e vizave.
Ai madje përsëriti edhe një herë deklaratat e liderëve shtetërorë se deri në fund të këtij viti, eventualisht në fillim të vitit 2019, qytetarët e Kosovës do të lëvizin pa viza.
“… unë si ministër i Drejtësisë jam përgjegjës për hartimin e politikave dhe ligjeve që ndërlidhen me fushën e drejtësisë edhe në fushën që e zbatojnë ligjin. Kemi raportuar në detaje për angazhimin tonë dhe unë pres në fund të këtij muaji një rekomandim pozitiv nga Komisioni Evropian që qytetarët tanë nga fundi i këtij viti, eventualisht fillimi i vitit të ardhshëm, të lëvizin lirshëm pa viza në zonën Shengen”.
Kreu i MD-së, ka kërkuar angazhim të shtuar nga vartësit e tij, në trajtimin e të gjitha rasteve, jo vetëm atyre të shënjestruara.
“Ne presim një avancim dhe angazhim më të madh të gjyqësorit dhe prokurorisë që aktualisht po ndodh prej tyre në kuadër të këtyre rasteve mirëpo jo vetëm këto 42 raste po edhe janë shumë raste të tjera që nuk janë pjesë e këtij mekanizmi e që ndërlidhen me luftën kundër korrupsionit…”, tha ai.