Jo rrallë herë thuhet se fitimi i luftës ndaj rivalit të përbetuar është trofe në vete. Këtë epitet po e synon vazhdimisht Drita, pavarësisht se fitoi titullin e kampionit. Festa e bardh e kaltërve ishte e shoqëruar vazhdimisht me thirrje ndaj rivalëve të qytetit (Gjilanit), ndërkohë që kjo ka vazhduar edhe në takimin e përbashkët ndërmjet futbollistëve, drejtuesve të klubit dhe të parit të Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, shkruan Gazetasheshi.com.
Kush nuk kërcën është Skifter”, kjo ishte fraza më e dëgjuar e tifozërisë bardh e kaltër gjatë festimit të trofeut në qendrën e qytetit në Gjilan, ndërkohë që u shoqërua vazhdimisht edhe nga futbollistët.
Thirrje të tilla dhe mesazhe thumbuese ndaj rivalëve të qytetit janë dërguar vazhdimisht para dhe gjatë festës së titullit, ndërkohë që ajo vazhdon edhe disa ditë më pas.
Edhe dy ditë pas festës së titullit lojtarët e Dritës u përkujdesën për rivalin lokal të qytetit në takimin me kryetarin e Komunës, Lutfi Hazirin.
Ishte Fidan Gërbeshi, qendërmbrojtësi i bardh e kaltërve që pyeti nëse ka ndonjë “Skifter” (tifoz të Gjilanit) të pranishëm në sallë, ndërkohë që plasën të qeshurat nga të pranishmit e tjerë.
Përtej kësaj rivaliteti ndërmjet këtyre dy klubeve është vërejtur gjatë tërë kampionatit me deklarata thumbuese ndaj njëra tjetrës, mirëpo në fushën e lojës fituese nuk doli asnjëra skuadër, pasi që në tri ndeshjet e zhvilluara u regjistruan tri barazime.
Dy ndeshje përfunduan me rezultat të barabartë 1-1, ndërkohë një tjetër përfundoi pa gola 0-0.
Lufta për të dominuar qytetin vazhdon…
/Gazeta Sheshi/