Dr Shevqet Mehmet
Baba im Ramushi ka lindur me 1923, në Gjilan, kurse baba i tij, Mehmeti ka lindur më 1875, po ashtu në Gjilan.
Më kujtohen fjalët e babës që thoshte se në pronën e Ilija Patgerit, skaj lumit Dobrusha ishte hapur ëmbëltorja e parë në qytet, më 1927, nga ana e vëllezërve Ebil dhe Bajram nga fshati Brod i Dragashit.
Si fëmijë mbaj mend se më 1964, afër lumit Dobrusha, ishte një çezmë nga guri, në formë katrori, ëmbëltorja dhe punëtoria e Rata Poçarit dhe furra e Goshës, ku punonte axha Jusf, ndonjëherë edhe Ragipi.
Bajrami, vëllai i Ebilit kishte vdekur më 1937 dhe ishte varrosur në varrezat e vjetra, në qendër të qytetit.
Nga 1945 deri më 1951, pushteti revolucionar kishte ndaluar punën në ëmbëltore, me arsyetim se ëmbëlsirat dhe boza ishin luks.
Kështu Aliu, djali i Ebilit, së bashku me Jakup Dedën kishin punuar nga 16 orë në hotelin Kristal, kur drejtor ishte Zubiqi i Varoshit.
Më 1951 lejohet hapja e gjellëtoreve, ëmbëltoreve, mishtoreve.
Jakup Deda e mban shitoren deri më 1957 kur me vëllanë Selimin shpërngulet në Turqi.
Më 1957, babai më ka treguar që ishte kalldrëmxhi i qytetit, se në qendër rregullohet shtrati i lumit me gurë.
Më 1964, si fëmijë blinim baltë te Rata poçari për punë teknike, ndërsa ditën shikonim shampitet e ekspozuara, tollumbat me orë.
Në mes të shitores dhe punëtorisë ishte një derë e vogël, ku hynte axha Ali duke u përkulur.
Ne pritnin që Aliu të hynte në punëtori që t`i preknim shampitet dhe të lëpinim gishtat. Ishte kohë varfërie.
Afër ishte stacioni i autobusëve. Autobusët ishin me shkallë. Në mbrëmje, para se të fillonte korzoja, ose në mbarim të saj, të rinjtë ktheheshin në ëmbëltore.
Më 1967, komuna sjell vendim për konfiskimin e pronës të Ilija Patgerit për të ndërtuar hotelin e ri.
Ne fëmijët u mërzitëm sepse nuk do të kishim mundësi të kërkonin më shampitet, t`i shohim tollumbat me sherbet, të shikonim se si axha Ali me djalin Bajramin e punonin bozën.
Ëmbëltorja u zhvendos afër konviktit të vjetër, ku tani është soliteri.
Më 11 prill shkatërrohen objektet në qendër, hoteli, bojaxhiu dhe oranzhadat, pasi Tito, më 14 prill vinte në Gilan dhe do të bëhej hapja solemne e hotelit të ri Kristal.
Më 1973 fillon ndërtimi i soliterit dhe ëmbëltoren e Qoses e larguan edhe nga ky vend dhe e vendosën pas stacionit të autobusëve.
Këtu blinim byrekët më të mirë me djathë, me mish, të nxehtë, që i shoqëronin me nga një gotë të madhe boze.
Baraka ku ishte stacioni i autobusëve, ishte mjaft e vizituar nga udhëtarët, punëtorët e spitalit etj.
Aliu vdiq dhe u varros në vendlindje.
Pas luftës, komunarët e largojnë edhe këtë ëmbëltore. Bajrami fiton gjakderdhje në tru. Kështu komunarët na mbyten kujtimet.
Ëmbëltorja me tradite 100-vjeçare mbetet vetëm nëmendjen dhe shpirtin tonë.
Kjo ëmbëltore ishte vend i takimeve të të rinjve, këtu lindën shumë dashuriçka. Këtu, duke ngrënë ndonjë ëmbëlsirë ndesheshin shikimet vrasëse mes të rinjve./Mediafokus/