Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka prezantuar në seancës e sotme para deputetëve strategjinë e sigurisë së Kosovës për vitin 2022-2027.
Kryeministri Kurti tha se kjo është strategjia ombrellë e sektorit të sigurisë që njeh rreziqet, kërcënimet dhe sfidat për sigurinë e Republikës së Kosovës, raporton teve1.info
“Kjo strategji do të prodhoj plane dhe dokumente që lidhen me sigurinë kombëtare, publike, mbrojtjen dhe diplomacinë”, ka thënë Kurti.
Ai theksoi se synimi i Kosovës është anëtarësimi në NATO dhe BE.
“I kemi dhënë vëmendje institucioneve të sigurisë, kemi rritur buxhetin e FSK për 52%. Kemi ndarë buxhetin më të lartë në historinë e FSK-së. Ky buxhet është vendosje e një standardi të ri për trajtimin e Forcave të Armatosura dhe çështjeve të sigurisë. Kemi treguar seriozitetin me të cilin e shohim sigurinë në vend. Buxhetit të rritur për ushtrinë po i shtohen edhe mjetet e dhuruara në Fondin e Sigurisë nga qytetarë anë e kënd botës”, ka thënë Kurti.
Tutje Kurti njoftoi se janë duke punuar për aplikimin e Kosovës për statusin kandidat në BE.
“Njëkohësisht po punojmë për aplikimin e Kosovës për statusin kandidat dhe po zbatojmë, reformat e nevojshëm për të lehtësuar procesin e integrimit në Bashkimin Evropian”,tha Kurti.