Kryesuesja e Kuvendit Komunal të Gjilanit, Shpresa Kurteshi-Emini, së bashku me shefat e grupeve politike të cilat përfaqësohen në vendimmarrjen komunale, ka pritur sot kryesuesen e Kuvendit të Komunës në qytetin Glattburg të Zurihut, Qëndresa Sadriu, të cilën e kanë përgëzuar për sukseset e arritura në shtetin helvetik, ku ajo është edhe deputete kantonale.
Kurteshi-Emini u shpreh e kënaqur që një shqiptare nga komuna e Gjilanit, ka arritur një sukses të tillë jashtë vendit të saj të origjinës, duke uruar që shembulli i saj të ndiqet edhe nga të rinjtë tjerë.
“Kjo arritje juaja si politikane e re, në shtetin zviceran, na bën krenarë dhe do të thotë shumë edhe për ne”, ka nënvizuar Kurteshi-Emini.
Deputetja e sapo zgjedhur kantonale në Cyrih, Qëndresa Sadriu është falënderuar për pritjen, duke thënë se pavarësisht se ku jeton njeriu, me rëndësi është të synojë maksimumin dhe jo të kënaqet me minimumin e arritjeve, duke shtuar se ajo është e fokusuar te puna me të rinjtë dhe barazia gjinore.
Sadriu tha se falë arritjeve të përgjithshme të shqiptarëve, sot ajo me mburrje tregon për origjinën e saj, gjë që më herët nuk ka qenë e lehtë.
Ndërkohë Sadriu i është drejtuar edhe Kuvendit Komunal, duke i porositur vendimmarrësit e këtushëm që të punojmë sa më shumë për interesat e qytetarëve.
Me arritjet e gjilanases Qëndresa Sadriu janë shprehur të lumtur erdhe shefat e grupeve politike, Avdyl Aliu (LDK), Riza Abdyli (PDK), Nevzad Isufi (VV), Mimoza Kadriu (Nisma) e Shemsedin Ramushi (AKR), veçmas për faktin që ajo, ndonëse ka lindur në Zvicër dhe është e re me moshë, nuk i ka shkëputur lidhjet me vendin e origjinës, për çka adresuan merita edhe te familja e saj.
Ndryshe, Qëndresa Sadriu, si përfaqësuese e Partisë Socialdemokrate, në mars të këtij viti, u zgjodh deputete në Parlamentin e Kantonit më të madh të Zvicrës, në atë të Zurich, njëherësh edhe kryesuese e Kuvendit të Komunës Glattbrug./RadioStar/