Shpresa Kurteshi – Emini, kryesuese e Kuvendit Komunal në Gjilan, thotë se vendimmarrësit e kësaj Komune, në seancën e fundit, kanë shqyrtuar e miratuar një sërë pikash të rëndësishme, mes tjerash edhe statutin e ri, me 29 vota për dhe 6 kundër, për të rikthyer dy drejtori, Drejtorinë e Ispeksionit dhe atë për Kulturë, Rini e Sport, pastaj një Komitet për personat me aftësi të kufizuar si dhe çështje të tjera që kanë të bëjnë me interesat e qytetarëve dhe një qeverisje sa më të mirë. Sa i përket formimit të një komisioni, ajo sqaron se bëhet fjalë për një komision vlerësues për punën e bërë në katër vitet e kaluar në sektorin e ndërtimeve dhe ambientit dhe jo për ndonjë komision hetimor, siç po thuhet nga disa kuvendarë.
Kurteshi-Emini falënderon të gjithë anëtarët e Kuvendit, të cilët me idetë, sugjerimet dhe me votën e tyre, kanë mbështetur ndryshimet statutare, duke krijuar mundësi për kryetarin Haziri që të riorganizojë administratën komunale dhe të zbatojë programin qeverisjes për vitet e ardhshme.
“Këtë mbështetje nga ana e të gjitha partive politike të përfaqësuara në Kuvend, e vlerësoj dhe njëherësh e pres edhe në të ardhmen, e cila ka për qëllim përmirësimin e jetës institucionale dhe qytetare në komunën tonë”, thotë Shpresa Kurteshi-Emini.
Për më tepër, ajo thotë se i kupton edhe reagimet dhe votat kundër ndryshimit të statutit të Komunës, por e sheh të dështuar tendencën për ta arsyetuar votën kundër, të nxitur nga një nervozizëm politik, karshi aktiviteteve dhe mbarëvajtjes së punës në Komunën e Gjilanit, që është duke u manifestuar në të gjitha fushat.
“Këtë përkushtim dhe këtë aktivizëm, institucionet komunale, padyshim se do të vazhdojnë ta tregojnë edhe më fuqishëm gjatë viteve në vijim”, thotë ajo.
Ndryshimet dhe plotësimet e statutit, që janë edhe obligim ligjor, janë shoqëruar me propozime konkrete, të cilat janë nxjerrë nga katër takimet e rregullta dhe një dëgjim publik të komisionit, që udhëhiqet nga Arben Mehmeti dhe ka një përfaqësim nga të gjitha partitë politike (LDK, LVV, PDK, NISMA, AAK, AKR), duke treguar profesionalizëm dhe unitet në punë.
Vlen të theksohet se të gjitha propozimet në Komisionit, janë mbështetur në mënyrë unanime, pavarësisht se jo të gjitha gjetën mbështetje në Kuvend, jo për shkak se nuk ishin të nevojshme, por për arsye se ka qenë vështirë të mbulohen nga ana financiare dhe me stafin e nevojshëm.
Drejtoria e Kulturës dhe Drejtoria e Ispeksionit nuk u rikthyen për shkak se deri më tash nuk kanë funksionuar si duhet këta sektorë, siç vajtohet përreth, sepse asnjëherë nuk ka pasur vështirësi dhe gjera që kanë bllokuar procese, përkundrazi rezultatet kanë qenë pozitive, por sepse është vlerësuar se si drejtori do të funksionojnë edhe më mirë. Arsyet janë bërë të ditura edhe nga kryetari i Komunës, Lutfi Haziri, ka thënë kryesuesja e Kuvendit Komunal.
Po në këtë seancë, me kërkesë të LVV-së dhe mbështetje të të gjitha partive politike, është krijuar një Komision vlerësues i punës, në fushën e ndërtimeve dhe ambientit dhe jo Komision hetimor, siç po thuhet nga disa kuvendarë.
“Kuvendi Komunal nuk themelon komisione hetimore, sepse as nuk ka kompetencë të tillë”, thotë Kurteshi-Emini, duke sqaruar se komisioni i formuar ka për detyrë të bëjë vlerësimin e punëve të kryera në fushat përkatëse, që nga viti 2014 e deri më 22.03.2018 dhe mandati i tij përfundon në momentin e paraqitjes së informatës në Kuvendin Komunal, thotë ajo.