Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, përmes një postimi në Facebook, ka bërë të ditur se nga data 30 gusht janë punësuar 363 persona në katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës.
Ai po ashtu ka deklaruar se ka ende 428 vende të lira pune, të cilat mbështeten nga skema e Qeverisë së Kosovës.
“Shtatë muaj nga fillimi i skemës, deri më 30 gusht në katër komunat në veri kemi ndërmjetësuar dhe mbështetur punësimin e 263 personave, ndërkaq të deklaruara janë edhe 428 vende të lira të punës”, ka shkruar Kurti.
Kryeministri kujtoi se skema e masës 1.8 “Qeveria për Familjet” u prezantua për herë të parë në korrik të vitit 2022, me një fond prej 10 milionë eurosh.
Në shkurt të këtij viti u lansua masa e posaçme për mbështetjen e punësimit për qytetarët e katër komunave veriore.
Përmes kësaj skeme, subvencionimi arrin në 70% të pagës bruto për gjashtë muajt e parë, deri në shumën e 350 eurove, duke mbuluar 2000 vende pune.
“Kemi ndërmjetësuar dhe mbështetur punësimin e 363 personave deri më 30 gusht, ndërsa janë të hapura edhe 428 vende të lira pune. Më shumë punësim do të thotë më shumë mirëqenie, integrim dhe ndërveprim mes komuniteteve,” tha Kurti, duke ftuar qytetarët të aplikojnë në Zyrat e Punësimit në komunat veriore.