Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se është e rëndësishme që Kosova të anëtarësohet në Bashkimin Evropian dhe në NATO për të kundërshtuar kërcënimet e vazhdueshme të Serbisë.
Kurti duke përmendur arrestimin e tre policëve brenda territorit të Kosovës nga Serbia dhe sulmin terrorist të 24 shtatorit të vitit të kaluar, ka thënë se anëtarësimi i Kosovës në këto organizata do t’i ndihmonte paqes e demokracisë në Ballkanin Perëndimor.
“Kërcënimi që kjo ideologji zgjeruese paraqet sot, nuk është thjesht teorik. Vetëm vitin e kaluar, Serbia rrëmbeu tre nga policët tanë brenda kufijve tanë, dhe më 24 shtator, kreu një sulm terrorist që la një oficer të vdekur, me qëllimin përfundimtar të aneksimit të pjesës veriore të territorit tonë. Për të kundërshtuar kërcënimin që Serbia paraqet në rajon, është edhe më e rëndësishme që Kosova të ecë përpara në rrugën e saj drejt integrimit euroatlantik, veçanërisht në Bashkimin Evropian dhe NATO. Ne jemi fort të përkushtuar ndaj vlerave dhe idealeve që përfaqësojnë këto organizata. Dhe nuk ka asgjë që do të bënte më shumë për paqen, sigurinë dhe demokracinë në Ballkanin Perëndimor — dhe në Evropë — se sa që Kosova të bëhet një shtet anëtar”, ka thënë Kurti në një fjalimin e tij në themelimin e Komitetit për Evropë në kuadër të Internacionales Socialiste.
Kurti i ka quajtur propaganda të Serbisë se serbët në Kosovë po diskriminohe, duke thënë se në qeverisjen e tij u ka dhënë mundësi edhe atyre të përfitojnë.
Por sipas tij, integrimi i serbëve në Kosovë, është ajo çfarë e shqetëson Beogradin.
“Qeveria jonë social-demokrate në Kosovë jo vetëm që ka arritur të luftojë korrupsionin dhe të krijojë vende pune — ne gjithashtu kemi siguruar që të gjithë qytetarët tanë, përfshirë komunitetin e etnisë serbe, të gëzojnë pjesën e tyre të drejtë të fryteve të punës sonë. Ky përparim është pikërisht ajo që e zemëron aq shumë Beogradin: Sa më shumë qytetarë etnik serbë të integrohen në Republikën e Kosovës, aq më e vështirë është për Serbinë të arrijë vizionin e saj të zgjerimit territorial, ka thënë Kurti.