Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka folur për agjencinë e njohur të lajmeve The Associated Press, ku është ankuar për njëanshmëri ndaj Kosovës nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian dhe për tolerancë, siç ka theksuar ai, të regjimit autoritar të Serbisë.
“Ne besojmë që duke u sjellur mirë me një autokrat nuk e bën atë më të mirë. Është e kundërta”, ka deklaruar Kurti.
Gjatë intervistës, Kurti është ankuar se si emisarët nga SHBA dhe BE (Escobar dhe Lajçak), po i shkojnë në takime me kërkesa të Serbisë.
“Po vijnë te ne me kërkesa të palës tjetër”, ka thënë ai për AP-në.
Kurti ka insistuar që forcat speciale policore të Kosovës nuk mund të zvogëlohen me prani në veri, përderisa bandat serbet nuk largohen nga vendi apo nuk arrestohen nga Policia e Kosovës.
Ai e ka akuzuar Beogradin për orkestrimin e dhunës në veri.
Kurti ka thënë se fuqitë perëndimore nuk duhet ta ‘lëmojnë’ Beogradin. Ai ka thënë se Beogradi është rrënja e problemit në Ballkanin Perëndimor.
Po ashtu, duke folur për zgjedhjet e reja në veri, Kurti ka thënë se ato duhet të organizohen mirë, me kampanja fer, si dhe t’u paraprijë një proces de-kriminalizimi në veri.
Ndërkohë, sot, ambasadori amerikan në Beograd, Christopher Hill, ka thënë se SHBA-të kanë një problem me Albin Kurti. Ai ka thënë se nuk është më i sigurt nëse Kurti mund të konsiderohet partner i shtetit amerikan. /GazetaExpress