Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka mbajtur një fjalim para nisjes së mbledhjes së Qeverisë. Ai u ka bërë edhe njëherë thirrje serbëve që të mos i bojkotojnë e braktisin institucionet derisa ka thënë se sundimi i ligjit në Republikën e Kosovës nuk është zgjedhje, por obligim.
Mungesa e tij tha kryeministri, është kërcënim për të gjithë e sipas tij me këtë kërcënim më së shumti po ballafaqohen qytetarët serb në katër komunat në veri të vendit. Presioni dhe sulmet ndaj tyre nga banda e individë kriminal sipas kryeministrit janë vetë dëshmia se çfarë prodhon mungesa e sundimit të ligjit.
Kreu qeveritar qysh në nisje të fjalimit ka përmendur platformën me të cilën garuan në zgjedhje.
“Punësim e drejtësi është platforma me të cilën ne kemi garuar para qytetarëve dhe që është shndërruar në paradigmën e qeverisjes sonë. Punësim nëpërmjet investimeve dhe rritjes ekonomike, drejtësi nëpërmjet sundimit të ligjit dhe luftimit të korrupsionit”, tha ai.
Njëra për tjetrën tha kryeministri, janë parakushte. “Sundimin e ligjit e kemi përgjegjësi programore, por edhe obligim institucional. Ne duam sundim të ligjit sepse duhet. Sundimi i ligjit nuk është zgjedhje, por është detyrim, mungesa e tij është kërcënim për të gjithë. Me këtë kërcënim më së shumti po ballafaqohen qytetarët tanë në katër komunat në veri të vendit tonë”, shtoi tutje kreu qeveritar.
Sipas tij, presioni dhe sulmet ndaj tyre nga banda e individë kriminal janë vetë dëshmia se çfarë prodhon mungesa e sundimit të ligjit.
“Problemi i tyre nuk janë vendimet tona as afatet që parashihen në to. 1012 vërejtje janë lëshuar deri sot në mëngjes, asnjë incident i shënuar dhe asnjë ankesë e regjistruar. Problemi i tyre janë sulmet me bomba, djegiet e veturave dhe shtëpive, trysnitë dhe kërcënimet pa afat për ata që e kanë problem ligjin”.
Kurti tha se ata që po urdhërojnë braktisjen e institucioneve të Republikës së Kosovës janë ata që iu pengon ligjshmëria e kushtetutshmëria e luftimi i kriminalitetit dhe korrupsionit.
“Ne jemi qeveri e përgjegjshme e të gjithëve kundër kriminelëve, e përkushtuar për zhvillim, integrim e barazi për të gjithë, për respektim të të drejtave të njeriut dhe pakicave dhe shërbim ndaj qytetarëve pa dallim e diskriminim”, tha ai.
Kryeministri shtoi se Kosova është shtet demokratik i popullit të lirë, aleate e zotuar e paqes, partnere e besueshme e miqve të saj.
“Sundimi i ligjit dhe demokracia janë garantuesit më të mirë të sigurisë dhe paqes, ato janë vlera dhe orientimi ynë i përbashkët me partnerët e miqtë tanë. Bëj thirrje edhe njëherë të mos bojkotohen e të braktisen institucionet”.
Ai ka falënderuar qytetarët serb për siç tha pjekurinë e treguar për ruajtjen e qetësisë, paqes e sigurisë.