Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se buxheti i ndarë për sektorin e bujqësisë në Kosovë është 87 milionë Euro, derisa shtoi se me fondet e jashtme kjo shifër e kalon vlerën e 100 milionë Eurove.
Gjatë prezantimit të Programit të pagesave direkte në bujqësi, së bashku me ministrin e këtij dikasteri, Faton Peci, Kurti tha se ky është një fillim i mirë.
“Arritjet e qeverisë ton do ti masim me synimet dhe potencialin tonë në vend se me të tjerët nga e kaluara. Startin për këtë vit e kemi të mirë. Buxheti për bujqësi këtë vit është 87 milionë Euro derisa së bashku me fondet e jashtme e tejkalon shifrën e 100 milionë Eurove”, tha Kurti.
Ai tha se në ditën e gjashtë të vitit po e prezanton programin për pagesa direkte për vitin 2023, duke thënë se në raport me vitin 2022, ky program i ka disa risi.