Dje, në Dhomën e Përfaqësuesve të SHBA-së, Kosova u prezantua si një partner i qëndrueshëm, demokratik dhe plotësisht i përkushtuar ndaj vlerave perëndimore.
Kongresistë dhe ekspertë nënvizuan se njohja e plotë e sovranitetit të Kosovës mbetet thelbësore për stabilitetin rajonal, duke theksuar njëkohësisht nevojën për mbështetje të shtuar në fushën e sigurisë, forcimin e FSK-së dhe avancimin e kursit të Kosovës drejt integrimit në NATO. Po ashtu, u kërkua një qasje e balancuar në procesin e dialogut, që redukton tensionet dhe forcon paqen afatgjatë.
Kosova u veçua për përkushtimin e saj ndaj demokratizimit, mbrojtjes së të drejtave të pakicave dhe harmonizimit të qëndrueshëm me aleatët perëndimorë. Ndërkohë, u ngritën shqetësime serioze për trajtimin e shqiptarëve në Luginën e Preshevës, dhe u prezantua një rezolutë që kërkon mbrojtjen e të drejtave të tyre. Është koha që Serbia të mbahet përgjegjëse për politikat diskriminuese ndaj shqiptarëve në këtë rajon.










