Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka takuar sot Miroslav Lajçakun, emisarin e posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi.
Takimi mes tyre ka ndodhur në margjinat e “Symi Symposium” në Athinë të Greqisë.
Lajmin e ka bërë të ditur emisari Lajçak përmes një njoftimi në Twitter.
“Në margjinat e edicionit të 24-të të ‘Symi Symposium’ me Albin Kurtin diskutova për situatën aktuale në rajon dhe dialogun për normalizimin e marrëdhënieve”, njoftoi Lajçak.
“Ne u fokusuam veçanërisht në hapat e mëtejshëm të nevojshëm për të bërë përparim në dialog”, vijoi Lajçak.
Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë ka ngecur si pasojë e dy vendimeve të nxjerra nga Qeveria e Kosovës rreth dy javë më parë.
Pas arritjes së marrëveshjes për energjinë më veri në Bruksel, të cilën e ndërmjetësoi Lajçak, u paralajmërua se shumë shpejt mund të ndodhë takimi i nivelit të lartë të dialogut Kosovë-Serbi.
Mirëpo, pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për reciprocitet në letërnjoftime dhe largim të targave ilegale serbe në vend, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq refuzoi një takim të tillë.
Kurti dhe Vuçiq në kuadër të dialogut të Brukselit janë takuar vetëm dy herë, ndërsa takimin e tretë joformal e kanë pasur muaj më parë në Berlin.