Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, së bashku me ministren në detyrë të Ekonomisë, Artane Rizvanolli dhe me Drejtorin Menaxhues të Fondit të Kosovës për Efiçiencë të Energjisë, Driton Hetemi, vizituan dy ndërtesa shumë-banesore sociale në Hajvali, në të cilat po investohet për efiçiencë të energjisë.
Këto ndërtesa, që janë ndërtuar në vitin 2017, janë vendbanim për mbi 500 banorë apo 100 familje. Në njërin bllok banojnë 50 familje të veteranëve të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kurse në bllokun tjetër banojnë 50 familje të skemës së asistencës sociale. Për vite me radhë, ato kanë pasur mure të pa izoluara, dritare të dobëta dhe mungesë të ngrohjes adekuate. Me investimet që po bëhen tani, përmes masave të efiçiencës së energjisë, krahas kushteve më të shëndetshme për të gjithë banorët, ato familje do të kenë fatura më të ulëta dhe ngrohje/ftohje më efikase. Në kuadër të kësaj mase, krahas termoizolimit në objekte, secila njësi banesore po ashtu do të pajisjet me nga një klimë efiçiente.
Gjatë vizitës, kryeministri Kurti u njoftua me mbarëvajtjen e punimeve, hapësirat e përbashkëta të banorëve që jetojnë aty dhe me rezultatet e punës së deritanishme, ku sipas auditimit të fundit të energjisë kursimet në konsum të energjisë në këto dy ndërtesa janë rreth 40%. Gjatë vizitës u theksua se në disa prej ndërtesave publike, spitale e shkolla, të cilat janë izoluar në kuadër të investimeve për efiçiencë të energjisë, kursimi i energjisë ka arritur deri në 90%.
Këto rinovime po bëhen nga Fondi i Kosovёs pёr Efiçiencё tё Energjisё me mbështetje nga Qeveria e Republikës së Kosovës, përmes grantit nga Bashkimi Evropian (me 90%) dhe pjesëmarrje të Komunës së Prishtinës (me 10%). Në gjithë vendin, janë gjithsej 25 ndërtesa të tilla që janë duke u rinovuar, në të cilat banojnë mbi 750 familje.
Me masat për efiçiencë të energjisë, deri më tani kemi mbështetur mbi 3,000 familje për izolimin e shtëpive të tyre, mbi 40,000 familje kanë përfituar pajisje për ngrohje dhe panele solare për prodhim të energjisë për vetëkonsum, dhe kemi rinovuar 125 ndërtesa publike, kryesisht shkolla dhe spitale.