Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kuri ka folur për letrën që gjatë ditës së djeshme presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ia ka dërguar kreut të LDK-së, Isa Mustafa ku ia jep të drejtën për formimin e Qeverisë së re.
Kurti ka thënë se presidenti Thaçi me këtë veprim ka bërë edhe një shkelje të Kushtetutës, shkruan Reporteri.
“Së pari për një çështje që jam përgjigjur nuk mund të them diçka të re. Nuk e kam tekstin me nënshkrim të ofertës së presidentit për partinë e dytë. Duhet ta shohim letrën me nënshkrim dhe në çfarë baze është bërë një ofertë për partinë e dytë. Se bëhet fjalë për shkelje nuk ka dyshim. Presidenti duhet ta respektojë, nuk mund ta shkruajë Kushtetutën. Kjo ishte ndër shkeljet e shumta të presidentit”, u shpreh Kurti.
I pyetur se a do t’ia lëshojë vendin Qeverisë së re, Kurti ka thënë se ka shumë punë deri te Qeveria e re.
“Ka shumë punë që të mbërrijmë deri te ndonjë qeveri e re dhe nuk mund të diskutojmë tash në rast se ndodh ajo që nuk dihet se do të ndodhë”.
Ai ka thënë se i mandatuari i LDK-së për kryeministër, Avdullah Hoti do të jetë një kryeministër i dobët, i kontrolluar nga Thaçi.
“Gjatë qeverisjes sonë ka qenë destruktiv. As ndër 10 njerëzit më të votuar më 6 tetor nuk është. Bëhet fjalë për dëshirën e presidentit që të ketë një kryeministër të dobët. Atij i nevojitet një kryeministër që do të jetë më pak ndikim. Me mua se bën dot këtë, prandaj u zbraps”, u shpreh Kurti.