Kryeministri Albin Kurti ka folur edhe rreth mundësisë së shkuarjes në zgjedhje të parakohshme. Në konferencë për media, shefi i ekzekutivit potencoi se kanë mbetur edhe 12 muajt e fundit të qeverisjes së tij dhe tha se nuk mund të parashikojnë se çfarë dimri mund të jetë në shkurtin e vitit të ardhshëm.
Sipas tij ka vullnet që zgjedhjet të mos mbahen në dimër, por gjatë verës, dhe tha se atëherë mund të caktohet një datë në koordinim mes qeverisë dhe opozitës, megjithatë thotë se si kryeministër, s’jep dorëheqje.
“Ne dëshirojmë të vazhdojmë qeverisjen. Ne kuptojmë që janë 12 muajt e fundit, pas 12 muajve, mund të jetë situata e një dimri që nuk e dimë çfarë është për zgjedhjet e radhës. Shkurti 2021, moti s’ka qenë edhe i keq, por s’ka qenë as i mirë. Nëse duam që zgjedhjet ti mbajmë jo në dimër, përshembull, normalisht që ne jemi njerëz të arsyeshëm, mund të caktojmë data bashkë me opozitën, por dorëheqje s’mund të japë”, ka thënë Kurti.
Albin Kurti, në konferencën për media ku foli për qeverisjen e tij në 3 vjetorin e Qeverisë Kurti II, ka thënë, se me qeverisjen e tij, është rritur sundimi i ligjit. “Ka më shumë sundim të ligjit, korrupsioni po luftohet”, u shpreh Kurti.
Tha se si rezultat i tyre gjatë kësaj periudhe qeverisëse ka qenë edhe zbatimi i hendekut eksport-import duke mbështetur prodhuesit vendorë e qarkullimi i bizneseve në vitin 2023 (19.7 miliardë euro), që sipas tij, ka arritur nivele rekorde.
“Në veri është rritur ligjshmëria”, tha tutje ai. Në sektorin e energjisë, tha Kurti, “kemi shënuar hapa historik”.
Kurti, foli pak edhe për sigurinë. “Ushtrinë e kemi më të fortë e më të përgatitur. Në Kazerma ka mbi 1 mijë ushtarë më shumë e 600 rekrutë të ri”, tha Kurti.