Kryeministri i vendit dhe kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, në mbledhjen e 50-të të Këshillit të Përgjithshëm të kësaj partie ka thënë se do të kërkojnë drejtësi deri në fund për ish-aktivistin Astrit Dehari, i cili kishte vdekur në vitin 2016 në Qendrën e Paraburgimit në Prizren.
Kurti në fjalim e tij ka përmendur edhe veprimtarin Adem Demaçi, të cilin e vlerësoi vigan të rezistencës shqiptare në burgjet jugosllave e serbe.
“Të dy janë busulla të Lëvizjes sonë dhe për sa kohë që të jetoj kujtimi i tyre në zemrat tona, për aq kohë do të jehojë edhe Lëvizja. Nuk e humbim rrugën, për sa kohë që rruga jonë ndriçohet nga pishtarë si ata. Lavdi dhe nderim për udhërrëfyesin kombëtar, Adem Demaçin, kujtim dhe drejtësi, me çdo kusht e deri në fund për shokun tonë, Astrit Deharin”, ka thënë Kurti.