Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kritikuar Prokurorinë Speciale nga Gjilani.
Ai tregoi pse nuk është përgjigjur në urdhrin për intervistim, përderisa ka sulmuar edhe mediat.
“Qysh në muajin dhjetor ka qenë e mundur që të kryhet ky intervistim, dhe të jepet dëshmia nga ana ime. Nëse Prokuroria e ka pasur shumë të rëndësishme, ajo do të vinte tek ne. Një prokuror që e ka synim dëshminë e dëshmitarit, nuk humb kohë. Pse i hup Prokuroria tre muaj? Është më shumë e interesuar të mbush ballinat e ndonjë portalit të oligarkut, se të sjell drejtësi. Kurrë Prokuroria nuk ka qenë më e lirë për të vepruar, lirinë po e keqpërdorë për ta luftuar qeverinë, e jo krimin e korrupsionin. Nuk ka qeveri që e ka luftuar korrupsionin e krimin si qeveria jonë në këto katër vite”, tha Kurti, raporton Nacionale.
“Vëreni se çfarë raste prioritizohen, ka vite të tëra që denoncimet tona nuk trajtohen. Në mars 2021 për një vit e 5 muaj deri në gusht 2022, ministrat e qeverisë që udhëheqë unë kanë dorëzuar 247 kërkesa për hetime ose kallëzime penale, asnjëra prej tyre nuk ka prodhuar hetim me aktakuzë. Çka prioritizon Prokuroria, flet për Prokurorinë, e jo për krimin e korrupsionin. Ju e dini që zgjedhjet nuk mbahen për Kryeprokuror, për Kuvend e qeveri. Kryeprokurorët janë aty të barrikaduar si në Prokurorinë Speciale sidomos në KPK dhe kjo është për të ardhur keq. Ky është dëm i vazhdueshëm, padrejtësi e pafalshme që po i bëhet shtetit tonë. Përderisa Prokuroria nuk ndryshon qasje e as udhëheqje, nuk kam pse ndryshoj as unë qëndrim”, tha ai.