Lëvizja Vetëvendosje dhe Lista Guxo përmes një komunikate të përbashkët kanë njoftuar për serinë e takimeve që i kanë pasur me të gjitha partitë parlamentare për formimin e institucioneve të Kosovës, raporton Gazeta Express.
Në komunikatë thuhet që Albin Kurti dhe Vjosa Osmani u kanë kërkuar të gjitha partive që të tregojnë konstruktivitet dhe të jenë prezentë në tri seancat e zgjedhjes së tri institucioneve kryesore.
“Me të gjitha palët, takimet janë zhvilluar në frymë konstruktive. Përgjatë këtyre takimeve, z.Kurti dhe zonja Osmani i kanë informuar subjektet politike për përgatitjet dhe ecurinë e krijimit të institucioneve të reja, të dala nga zgjedhjet e 14 shkurtit. Në këtë kontekst, të dy kandidatët u kanë ofruar subjekteve politike bashkëpunim për çështje të interesit nacional. Ata kanë kërkuar konstruktivitet të subjekteve politike deri në përmbylljen e procesit nëpërmjet prezencës në të tri seancat e zgjedhjes në të tri institucionet kryesore të shteti”, thuhet në komunikatë.
Tutje dy përfaqësuesit e koalicionit fitues të zgjedhjeve janë shprehur optimistë që procesi i formimit të institucioneve të përmbyllet me sukses. “Takimet kanë nisur të në fillim të javës me kryetarë dhe përfaqësues të partive politike: PDK, LDK, AAK, KDTP, NDS, IRDK, VAKAT, PAI, SDU, LPRK, Lista Serbe, JGP dhe Romani Iniciativa. Me të gjitha palët, takimet janë zhvilluar në frymë konstruktive. Përgjatë këtyre takimeve, z.Kurti dhe zonja Osmani i kanë informuar subjektet politike për përgatitjet dhe ecurinë e krijimit të institucioneve të reja, të dala nga zgjedhjet e 14 shkurtit. Në përmbyllje të takimeve, z.Kurti dhe znj.Osmani kanë shfaqur optimizmin që ky proces të përmbyllet me sukses dhe në përputhje me vullnetin qytetar të shprehur në zgjedhjet e 14 shkurtit”, thuhet në komunikatë.