Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka pranuar kërkesën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për shtyrjen e vendimit për shqiptimin e gjobave për pronarët e makinave me targa ilegale të lëshuara.
SHBA ka kërkuar që zbatimi i këtij vendimi të shtyhet për dy ditë. Në një deklaratë të ambasadorit të SHBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier, thuhet se është kërkuar kjo kohë që të lejohet BE-ja dhe SHBA-ja për të angazhuar palët që të gjejnë zgjidhje.
Ndërsa, kryeministri Kurti, duke e falënderuar ambasadorin Hovenier ka thënë është i lumtur të punojë me SHBA-në dhe BE-në për gjetjen e një zgjidhje në dy ditët e ardhshme.
“Unë e pranoj kërkesën e tij për shtyrje prej 48 orë të fillimit të gjobitjes për targa ilegale ‘KM’ (dhe tjera). Jam i lumtur të punoj me SHBA-në dhe BE-në për të gjetur një zgjidhje gjatë dy ditëve të ardhshme”, ka shkruar Kurti në Twitter.