Ish-kryeministri Albin Kurti, kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, ka thënë se komunikata e lëshuar nga ambasada amerikane në Prishtinë, për shtetasit amerikanë dhe stafin e saj, në lidhje me tubimin e LVV’së është një shabllon që lëshohet gjithmonë nga kjo ambasadë.
“Ata e kanë një komunikatë shabllon që e përdorin çdo herë kur ka tubime. Tubimi i 12 qershorit është për hir të 21-vjetorit të çlirimit të Kosovës dhe 15-vjetorit të formimit të Lëvizjes Vetëvendosje, është tubim paqësor, publik, do të ketë protesta, ato janë të pashmangshme, madje nën çdo qeveri, por të premten e 12 qershorit nuk është një i tillë. Pra, tubim publik, paqësor, manifestim për nderë të 21-vjetorit të çlirimit dhe 15-vjetorit të Lëvizjes”, ka thënë Kurti për KosovaPress.
Përmes një komunikate, Shtetet e Bashkuara kanë kërkuar stafit të saj dhe shtetasve të saj amerikane që të shmangin sheshet e Prishtinës nga sot deri më 17 qershor.
Ambasada ka shkruar se një tubim i tillë, ani pse i thirrur si manifestim i qetë, mund të shndërrohet në tubim të dhunshëm.
“Disa ngjarje janë paralajmëruar nga 10 deri më 17 qershor 2020. Këto ngjarje përfshijnë, por jo vetëm, përvjetorin e 21-të të çlirimit të Kosovës dhe 15-vjetorin e Lëvizjes Vetëvendosje. VV po organizon një protestë politike (“tubim”) më 12 qershor, në sheshin ‘Skënderbeu’ në Prishtinë. Stafi dhe qytetarët amerikanë këshillohet të shmangin zonat e demonstratave dhe të jenë të kujdesshëm nëse gjenden në afërsi të ndonjë tubimi të madh, proteste apo demonstrate. Edhe tubimet e proklamuara të qeta shpejtë mund të shndërrohen në të dhunshme. Tubimet në numra të mëdhenj mund të shndërrohen në super-ngjarje të përhapjes së Covid-19”, thuhet në paralajmërimin e ambasadës së ShBA-së