“Putini i vogël”. Kështu e quajti kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, në një intervistë sot për median britanike The Telegraph.
Mediumi britanik shkruan se “Shqetësimi më i madh i Kurtit si lider i Kosovës është zoti Vuçiq, të cilin ai e përshkroi si një “Putin të vogël” për shkak të miqësisë së tij të ngushtë me presidentin rus”.
Ai tha se “nuk ishte çudi” që në dhjetor të vitit të kaluar Vuçiqi tregoi “admirim publik për Ilham Aliyev, presidentin e Azerbajxhanit”, kur mori rajonin e diskutueshëm të Nagorno-Karabakh nga forcat armene, duke pasur parasysh ambicien e tij për të pushtuar Kosovën.
“Për shkak të kërcënimit që Serbia po na paraqet dhe për shkak të lidhjeve të shumta me Kremlinin, të kemi më shumë kapacitete dhe aftësi për ushtrinë dhe policinë tonë dhe më shumë trupa të NATO-s do të rriste sigurinë e vendit tonë dhe të rajonit”, theksoi Kurti.
“Besoj për aq kohë sa Serbia nuk e njeh Kosovën, përderisa Serbia mban 48 baza operative përpara rreth vendit tonë dhe për sa kohë Serbia është aleate e ngushtë e Kremlinit, duhet të ketë më shumë kapacitete nga ana jonë dhe më shumë trupa të NATO-s”, shtoi tutje kryeministri Kurti./Reporteri.net/.